Rritja e çmimit të naftës, Basha: Një qeveri normale mbron qytetarët, nuk shton taksa të reja për karburantin. Varfëri në nivele afrikane

”Le ta marrim nga çështja e fundit, ngritja e çmimit të karburantit, ngritja e çmimit të naftës.Se me të vërtetë çmimi i naftës është rritur në të gjitha tregjet ndërkombëtare, po pse është më e ulët në Kosovë? Pse është më e ulët në Maqedoninë e Veriut? Pse është kaq e lartë në Shqipëri, sa është pothuajse në Zvicër ku marrin mesatarisht 16 herë më shumë të ardhura për frymë sesa në Shqipëri? T’i marrim një nga një: Kush e ka harruar taksën Rama mbi karburantet? 200 lekë plus TVSH-në, 240 lekë për litër, është vetëm taksa që ky ka vendosur mbi naftën, mbi benzinën. Dhe kur shkojmë në Parlament dhe i kërkojmë që ta heq, bën sikur ngatërrohet, bën dhe shejtanbudallain. Thotë, taksa e karbonit, jo mor jo, s’po të thotë njeri për taksën e karbonit. 3 lekë është taksa e karbonit, kjo është 24 lekë të reja. Le të ndalemi për një moment, ka më shumë se 6 vite apo 7 vite që kur e vuri në janar të 2014-ës, në qoftë se nuk gabohem, 100 lekëshin e parë dhe në janar të 2015-ës, 100 lekëshin e dytë plus TVSH-ën, që i merr këto lekë. Si i shpenzon? Cili është roli i qeverisë kur ndodh diçka e keqe për njerëzit? Si pandemia, si tërmeti, si rritja e çmimit të naftës? Është të amortizojë efektet negative. T’i zbus, ta bëjë pak më të lehtë jetën e njerëzve. Si mund ta bëjë këtë? Del ministrja sot pa pikë turpi, thotë do rritet edhe 6 muajt e ardhshëm çmimi i naftës.

E para e punës, nuk të paguajnë aty për t’iu thënë shqiptarëve se çfarë do të ndodhi me tregjet ndërkombëtare, por të paguajnë se çfarë do të bësh ti meqë do rritet çmimi i karburantit edhe 6 muajt e ardhshëm. Çfarë do bëjë qeveria jote? Çfarë do bëjë? Çfarë do bënte një qeveri normale? Në radhë të parë do shikonte kush preket nga këto dhe si preken. Janë dy kategori që preken. Janë ata që edhe pa çmimin e naftës në këto nivele, nuk sigurojnë dot bukën e gojës. Dhe ne e dimë kush janë. Gjysma e familjeve në Shqipëri që nuk paguajnë më shumë se një vakt të ngrohtë në ditë, për veten e tyre dhe fëmijët e tyre. Pensionistët që nuk mbyllin dot 10 ditë, jo muajin po nuk patën mbështetje nga fëmijët e tyre në emigracion. Të papunët, pagesa e ndihmës ekonomike s’mjafton as për 2 ditë, as për 3 ditë për një familje me 4 veta, jo për 30 ditë. Gjysma e popullsisë, që sot është e varfër dhe varfëri e niveleve Afrikane. Nuk ka lidhje me vendet e tjera të Evropës, nuk ka lidhje me Kosovën, nuk ka lidhje me Maqedoninë e Veriut. Me kë doni ta krahasoj? Dhe pastaj tek pjesa tjetër, pjesën e ekonomisë. Se të gjithë e dimë, s’ka nevojë të kesh mbaruar për ekonomi, që nafta është gjaku i ekonomisë, karburanti është gjaku i ekonomisë, që rritja e çmimit të karburantit është, sigurisht që i bie drejtpërdrejtë ndesh gjithë zinxhirët të shërbimit dhe prodhimeve dhe do të reflektohet në gjithçka. Në rritjen e çmimit të mallrave, në rritjen e çmimit të prodhimeve bazë.”

Artikulli paraprakKryesia PD miraton kandidatët për 6 bashkitë
Artikulli tjetërBasha: Dy rrugë kemi. Opozitë ballore, pa kompromis ndaj Edi Ramës dhe e dyta të mbetemi parti e vlerave euroatlantike