Hysaj në fushë ndaj Izraelit

Elseid Hysaj do të luajë në ndeshjen ndaj Izraelit në një gjendje jo të zakonshme. Pas goditjes me bërryl që pësoi në ndeshjen mes Napolit dhe Lacios në Serinë A, ai ka pasur shqetësime me dhëmbët. Para se të udhëtonte drejt Shqipërisë për grumbullimin me kombëtaren, ai ka lënë pa gjumë mjekët e Napolit teksa ka pasur shqetësime gjatë natës. Sipas raportimit të mediave italiane, problemet e Hysajt me dhëmbët vazhdojnë akoma, çka do ta detyrojnë atë që gjatë takimit me Izraelin të mbajë në gojë një mbrojtëse dhëmbësh, njësoj si ato që përdorin boksierët gjatë ndeshjeve të tyre.
De Biazi gjithmonë deklaron se një nga arritjet e tij më të mëdha ishte disiplina e rreptë që ka vendosur në grumbullimet e kombëtares. Por nëse disa rregulla rrinë në fuqi, si ajo e veshjes të gjithë njëlloj, siç e tregoi një ditë më parë me Manajn, të cilit në stërvitje i veshi vetë fanellën njëlloj si të shokëve të skuadrës, disa të tjera kanë ndryshuar.
Një prej tyre, e aplikuar me ngulm gjatë Euro 2016, ishte ajo që futbollistët duhej të paraqiteshin në tavolinë gjatë vakteve pa celularët e tyre. Edhe pse trajneri nuk ua ndalon futbollistëve përdorimin e celularëve apo publikimin e fotove në rrjetet sociale, një gjë e tillë ndalohej rreptësisht në tavolinë. Ky rregull ka ndryshuar dhe gjatë ditës së djeshme, futbollistët kanë shfrytëzuar lirinë që u ka dhënë trajneri për të postuar në masë foto në rrjetet sociale gjatë darkës.

Artikulli paraprakBasha: Hetim të plotë, naftëtarët janë vetëm si të përmbyturit
Artikulli tjetërIzraeli pëson gjithmonë