Autoritetet italiane në Napoli, kanë vendosur në pranga disa persona të akuzuar për korrupsion, mes tyre spikasin një ish-gjeneral i Guardia Di Finanza, avokatë, sipërmarrës dhe ish-prokurorë.
Mediat italiane shkruajnë se mes të arrestuarve janë Roberto Penn, zv. prokurori i Salernos dhe partnerja e tij, Maria Gabriella Gallevi. Në arrest shtëpie janë vendosur sipërmarrësit, Francesco Vorro, Umberto inverso dhe Fabrizio Lisi, ky i fundit ish-gjeneral i Guardia di Finanza. Ata akuzohen për abuzim me pushtetin dhe përfitime personale.
Më 14 korrik Carabinieri del Ros, të deleguar nga zyra e hetimit napolitan (prokurori Ardituro dhe Fratello) kryen një sërë kontrollesh kundër të arrestuarve. Veprimtaria hetimore e karabinierëve, e cila zgjat nga tetori 2020 deri në korrik 2021, do të kishte hedhur dritë mbi një “pakt korrupsioni” të vërtetë midis magjistratit dhe sipërmarrësve të konsorciumit.
Për më tepër, sipërmarrësit, duke përfituar gjithmonë nga ndihma e magjistratit, synonin të krijonin marrëdhënie të privilegjuara me zyrtarët e Pallatit Qeveritar të Salernos për të arritur vendosjen e konsorciumit në të ashtuquajturën “lista e bardhë”. Ndër objektivat që i kishin vënë vetes ishte nënshkrimi i një protokolli ligjshmërie mes konsorciumit të tyre dhe Prefekturës.
Kush është ish-gjenerali i Guardia Di Finanza i arrestuar nga policia italiane
Televizioni italian “RAI 3” ka publikuar dy vite më parë fakte për trafikun e drogës në Shqipëri. Në një kronikë të gazetarit Valerio Cataldi flitet për një gjeneral italian të Guardia Di Finanza dhe drejtues i INTERPOL, i cili pas daljes në pension, është drejtues i një shoqate kulturore italiane që operon në Shqipëri.
Shoqatës që në letra rezulton e themeluar nga dy italianë me kombësi shqiptare i janë dhuruar mijëra metra katrorë tokë në bregdetin e Vlorës. Sipas kronikës së “RAI 3”, prona në Vlorë i është dhuruar shoqatës nga “Artur Shehu, një qytetar shqiptar që aktualisht jeton në SHBA dhe është hetuar në Itali për lidhjet mes Sacra Corona Unita (mafia italiane) dhe investimeve të saj në Shqipëri”.
I pyetur nga gazetari italian në telefon, gjenerali tashmë në pension, që identifikohet me emrin “Lisi” thotë se në kohën kur ishte dhuruar prona nuk ka pasur dijeni për problemet ligjore që mund të ketë pasur dhuruesi.
Dritan Zagani, ish-polici që ndodhet në azil politik në Zvicër, në një postim në Facebook thoshte se gjenerali ka lidhje të forta me narkotrafikantët dhe sipas tij ka pasur rol kryesor në shumë zhvillime në Shqipëri. “Kush është ura lidhëse mes narkotrafikantëve dhe gjeneralit Lisi, kush është ky njeri që me forcet e tij e si hije e zezë ka një rol kyç për gjitha lidhjet e mafies me politikën rilindase dhe liderin e drogës ..!”, shkruan Zagani.