Përpjekjet diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm që mund të çojë dhe në pushtim po vazhdojnë këtë të martë, 15 shkurt në Moskë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbërritur në Moskë, ku do të takohet me Presidentin Valdimir Putin, raporton BBC. Përpara takimit, ai mori pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave në Varrin e Ushtarit të Panjohur pranë Murit të Kremlinit.
Sipas korrespondentes së Daily Telegraph në Moskë, Nataliya Vasilyeva, Scholz ka refuzuar të bëjë një test PCR në Rusi, duke ndjekur shembullin e Emmanuel Macron. Macron refuzoi gjithashtu të bënte një test PCR nga autoritetet ruse, kështu që iu desh të takonte presidentin rus nën protokolle të rrepta të distancimit social.
Presidenti francez bëri një test PCR në Francë dhe një test antigjeni në Rusi të administruar nga mjeku i tij, pasi nuk donte që ADN-ja e tij të ishte në duart e shtetit rus, sipas burimeve të qeverisë franceze, shkruan BBC.
Ndërkohë, më herët kryediplomati i Bashkimit Evropian u shpreh që duhet pranuar që të gjithë kanë shqetësime për sigurinë, përfshirë edhe Rusinë.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme Josep Borrell i tha BBC-së se “për të zgjidhur shqetësimet e të gjitha palëve, e vetmja mënyrë është të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë”.
Duke adresuar shqetësimin kryesor të Rusisë, që është mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën ushtarake të NATO-s, Borrell tha se Ukraina nuk është ende anëtare. “Është një mundësi,” tha ai, “nuk është fakt, por në terma praktike sot Ukraina nuk është anëtare e NATO-s”. Zhvillimet vijnë në një kohë që shërbimet inteligjente dhe CIA kanë paralajmëruar që një pushtim i mundshëm rus mund të ndodhë më 16 shkurt.
Por të martën, më 15 shkurt, ministrja e Mbrojtjes ruse njoftoi se disa trupa ushtarake po tërhiqeshin nga kufiri me Ukrainën.
Madje zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ironizoi shtetet perëndimore duke shkruar në rrjetet sociale se:
“15 shkurti 2022 do të hyjë në histori si dita e dështimit të luftës propagandistike perëndimore. I zënë ngushtë dhe i shkatërruar pa shkrepur asnjë plumb”.