Shqipëria ka kostot më të ulëta për orë pune në të gjithë Europën. Sipas Eurostat, kostoja mesatare për orë pune në Bashkimin Europian është mesatarisht 24 euro, ndërsa në Shqipëri, vetëm 2.2 euro. Madje krahasimi i Eurostat vë në dukje se edhe në rajonin e Ballkanit, kostoja e punës është sa dyfishi i Shqipërisë me 4.4 euro për orë pune.
Kostoja e punës në Ballkan ka mbetur e ulët në vitet e paskrizës si rrjedhojë e një logjike që kanë ndjekur vendet në drejtim të konsolidimit fiskal.
Në këto kushte, vendet e Ballkanit dhe Shqipëria duhet të shfrytëzojnë këto kosto për të tërhequr më shumë investime dhe për t’i bërë prodhimet e tyre më produktive. Edhe pse pagat në rajonin e Ballkanit u rritën me ritme të shpejta përveç Shqipërisë, vitet e parakrizës, mesatarja e tyre është shumë poshtë niveleve europiane.
Në mesin e të gjitha problemeve strukturore të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, punësimi mund të konsiderohet si sfida kryesore për vitet e ardhshme. Në dy dekadat e fundit, situata është përkeqësuar në mënyrë progresive. Raporti i punësimit të popullsisë ka rënë nga rreth 45% në vitin 1991 në 38% në vitin 2013. Hendeku i vendeve të Ballkanit me mesataren e vendeve të Eurozonës është 14%. Situata e punësimit është më e rëndë ndër të rinjtë, ku vetëm 17% e tyre janë të punësuar, sipas Eurostat.
Situata është edhe më alarmante, duke e ditur se pjesëmarrja e të rinjve në strukturën e popullsisë është shumë më e lartë në Ballkanin Perëndimor se në Europë. Situata është veçanërisht e vështirë në Kosovë dhe Bosnjë, ku pavarësisht rritjes pozitive dhe relativisht të lartë të ekonomisë, papunësia jep shenja të vogla rënieje. Megjithatë, në Serbi dhe Maqedoni, ka një trend pozitiv në drejtim të uljes së papunësisë. Në Serbi, niveli i papunësisë është ulur nga 23.9% më 2012 në 17.9% në vitin 2015, ndërsa në Maqedoni, ku trendi pozitiv ka filluar në vitin 2005 dhe nuk u ndërpre nga kriza, ai zbriti nga 29% në vitin 2013 në 26.1% në vitin 2015. Disa zhvillime pozitive edhe mund të vërehen në Kroaci dhe Mal të Zi që nga viti 2014.