Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot nga parlamenti se Komisioni hetimor për inceneratorët po zbulon përditë faktet dhe dëshmi se si ka ndodhur kjo vjedhje që është një skeme e strukturuar, e paramenduar dhe e mirëllogaritur për të vjedhur 430 milionë nga lekët e shqiptarëve.
Ai theksoi se kryeministri nuk mund të lajë duar nga përgjegjësia dhe se ai është koka e korrupsionit gjigant.
“Problemi i kryesor i vendit është korrupsioni qeveritar. Ftesat për të braktisur denoncimet e aferës së shekullit mbajeni për veten. Nëse do të kishit një fije dinjitet, nëse nuk jeni skllevër të numrit 1. Duhet të flisnit për inceneratorët, për atë që u kapët me presh në duar. Kjo skemë përfshin ministritë kryesore me në krye zyrën e kryeministrit.
Komisioni po zbardh përditë se pse kryeministri nuk mund të lajë duart nga përgjegjësia duke ua hedhur fajin vetëm ministrave, të cilët shumë shpejt do përballen me drejtësinë.
Njerëzit e kuptojnë fare mirë se koka e këtij korrupsioni gjigant të qeverisë është në fakt koka e qeverisë, është Edi Rama.
Komisioni po vërteton se asgjë nuk mund të ndodhë pa mbështetjen, nxitjen dhe miratimin e tij”, deklaroi Basha.
Sipas tij, kjo është edhe arsyeja se pse Rama e mbylli komisionin, por e vërteta vetëm sa ka nisur të shpaloset. “Është vetëm çështje kohe!”, deklaroi ai.
Kreu i PD-së, duke iu referuar ratifikimit të marrëveshjes mes Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin të vitit 1957, theksoi se korrupsioni dhe paratë e drogës e kanë kthyer Spanjën në një prej destinacioneve të preferuara për trafikimin e drogës.
“Nga kjo sallë e Kuvendit, sot pritet të diskutohet një rend dite për marrëveshje rutinë. Do ishin simbolike nëse korrupsioni dhe paratë e drogës, nuk do e kishin kthyer Spanjën në një prej destinacioneve të preferuara për trafikimin e drogës. Ky është një nga shqetësimet kryesore të drejtësisë së vendeve europiane. Këtu në këtë sallë me miratimin e kësaj marrëveshje, të vetmit që nuk duhen të krekosen, janë ata që janë detyruar ta sjellin marrëveshjen”, tha Basha.