Në hapjen zyrtare të fushatës së PD në Shkodër, kandidati për bashkinë e këtij qyteti, Xhemal Bushati, gjatë fjalës së tij theksoi se problemet e Shkodrës do të zgjidhen me një program emergjent.
Gjatë fjalës së tij Bushati tha se nuk do të sundojë bashkinë, por do ta bashkëdrejtojë atë me qytetarët, në moton, Bashkia do të vijë tek qytetarët.
“Problemet e Shkodrës do t’i zgjidhim bashkë me një program emergjent. Të gjithë bashkë do të shohim nevojat, do të rishikojmë buxhetin dhe do të bëjmë më të mirën për Shkodrën. Fermerët janë shumë të rëndësishëm dhe ne do të punojmë për ta. Ata ankohen për naftën, për plehrat kimike, kanalet kulluese , vaditëse apo tregjet…Duhet t’i shërbejmë këtyre njerëzve. Unë do t’i shërbej qytetarëve me transparencën më të madhe. Nuk do ta sundoj, por do ta bashkëdrejtoj bashkinë e Shkodrës me qytetarët. Do të vijë bashkia tek qytetarët, kjo është motoja jonë. Ju premtoj që do të punojmë fort që shkollat to0na të kenë standarde europiane. Ne jemi qyteti i kulturës dhe duhet të punojmë sëbashku që vlerat t’i çojmë përpara. Besoj që Shkodra është qytet human dhe të gjithë bashkë do të ndihmojmë edhe shtresat në nevojë,. Ato nuk kanë nevojë për lëmoshë por për dinjitet. Nuk mund të lë edhe pa përmend sportin ku duhet të japim kontributin maksimal.”, tha ai.