Fundi i Ramës

Eon KUQI

Dhe Rama ashtu si dhe çdo diktator tjetër, nuk e priste fundin e tij. Mendonte se ishte i paprekshëm. Mendonte se ishte më i miri, sepse këtë dëgjonte nga mëngjesi deri në darkë, çdo minut e sekond nga vartësit e tij. Pritej që Rama të ishte arrogant (se këtë e ka dhe në natyrën e tij), por nuk pritej që ta shfaqte “arrogancën e tij të sëmurë” kaq shpejt. Rama u bë mediokër, filloi t’i pëlqente shumë vetja se dhe ai ashtu si çdo diktator tjetër mendonte se pushteti ishte i përjetshëm dhe sa herë të shihej në pasqyrë, gjithmonë do ta shihte veten si “zot” të çdo gjëje.
Rama ra në gropën e errët që hapi vetë dhe çdo ditë e më shumë po fundoset në të. Rama u fundos se erdhi në pushtet si i fundosur, se erdhi në pushtet me një program fals, me premtime boshe dhe fjalë të dhëna që nuk mundte t’i mbante.
Rama u fundos që në momentin që premtoi shëndetësinë falas (që ishte dhe kali i betejës së fushatës). Ku e kemi sot shëndetësinë falas!? Shëndetësinë falas mund ta shohë e prekë vetëm ai…në imagjinatën e tij të shfrenuar, sepse shëndetësi falas nuk ka. Sepse sot, shëndetësia është si mos më keq, çdo ditë përballemi me një shëndetësi që nuk ka ilaçe, ku të sëmurët e marrin serumin nëpër korridoret e spitaleve, ku çdo ditë sheh njerëz që vdesin në vendin ku në fakt duhet të kuroheshin. Sot kemi një shëndetësi ku nëna dhe foshnja humbin jetën, sepse nuk ndodheshin doktorët. Kemi një shëndetësi, ku ministri Vrasës mbush çdo ditë xhepat me paratë e pista të koncesioneve, një shëndetësi ku një djalë i pafajshëm si Kristi humbi jetën nga “funksionimi i mirë i sistemit”. Kemi një shëndetësi, ku shoferat e ambulancave i përdorin këto të fundit si taksi personale e ku sistemi i urgjencës së Tiranës, por dhe rretheve është thuajse inekzistent. Kemi një sistem shëndetësor që meriton zero ashtu si zero që e kanë të skalitur në ballë Rama dhe Beqaj.
Rama ra, sepse pothuajse në këto katër vjet qeverisje nuk ka asgjë me të cilën të krenohet. Nuk mund të krenohet as me Reformën Energjitike ku futi në burg njerëz në mjerim, i la të vdisnin në burg dhe në errësirë totale.
Nuk mund të krenohet as me Reformën në Arsim, sepse la jashtë dyerve të universiteteve shumë të rinjë, u futi frikën në palcë që të mbushnin universitetet private nga frika, dështoi se shumë degë kanë mbetur bosh e shumë maturantë do të vazhdojnë të quhen të tillë se do rrinë në shtëpi në vend që të bëheshin studentë. Rama është një diktator, sepse po vepron si i tillë se nuk mund që një kryeministër me parime të shtetit demokratik të veprojë kështu.
Rama ra se në këto thuajse 4 vjet ka rënë shteti…po ka rënë shteti, sepse shteti është tërësisht në duar të mafias e trafikantëve që financuan fushatën “e ndershme” të 2013 e që sot kërkojnë shpërblimin e tyre.
Rama u fundos se çdo gjë në këtë vend ka shkuar për dreq, kemi një situatë alarmante ku i gjithë territori i vendit është i mbushur me hashash, kanabis e drogëra apo helme të tjera.
Sot s’ka shtet përderisa punonjësit e policisë janë kthyer në roje private që ruajnë parcelat e shefave. Rama është fundosur përderisa ai dhe ministrat e tij janë përfshirë në transportin e lëndëve narkotike, ku helikopterët e ushtrisë, policisë dhe shëndetësisë ngarkohen e shkarkohen me lëndë narkotike, ku “mushkonjat” e miellit të bardhë ulen e ngrihen nga pistat e improvizuara a thua se jemi në kohën e Eskobarit.
Rama u fundos se papunësia në vend është alarmante, ku shqiptarët nuk shohin më mënyrë tjetër punësimi përveçse të punojnë në arat e mbjella me “sherebelë” nga agallarët e zonave.
Rama u fundos dhe të gjithë po e shohim këtë. Nuk e shpëtojnë dot as shakatë e tij pa kripë, as regjia qendrore dhe as “aksionet” false të sekuestrimit të magazinave me drogë nga policia që për çudi na shkokërka gjithmonë, pasi është mbjellë, punuar, prashitur, tharë e paketuar dhe atyre nuk u ngelet gjë tjetër veçse sa për ta transportuar.
Rama u fundos dhe unë e sfidoj…po e sfidoj, e sfidoj të më thotë vetëm një emër shefi bande, shefi droge të arrestuar, këtë se thotë dot ai se në gjithë këto kohë janë arrestuar vetëm ata…punëtorët e thjeshtë që tashmë njihen me termin Punëtorët e Hashashit që punonin me tytë kallashi në kokë për bosët që shëtisin Tiranës.
Rama ra se çdo gjë në këtë vend ka rënë, nuk ka më as rend e siguri, një viktimë tjetër u shënua në Sarandë e sa të tjera në gjithë vendin dhe si të mos mjaftonte kjo, janë vrarë dhe në mes të ditës e natës dhe në qendër të bllokut. Sot rrugët tona janë kthyer në rrugë vdekjeje, ndërsa përgjegjësit përdorin regjinë qëndrore për të transmetuar live uniformat e reja të policisë të falura nga vëllai turk, a thua se për këtë kanë nevojë policët.
Jo o zotëri, policët kanë nevojë t’u rikthesh dinjitetin që ua shkelët që në momentin që i detyruat të shkelnin çdo parim e betim, duke i detyruar të ruajnë e punojnë parcelat tuaja.
Rama është fundosur, sepse ai nuk ka më besim tek askush, as tek aleati i tij i madh, madje as vetë brenda partisë së tij. Këto janë shenja të rënda që çdo diktator i përjeton para fundit të tij, i përjetoi Enveri tani po i përjeton dhe ky.
Dhe ky do ketë të njëjtin fat, me revolucion apo evolucion, kjo mbetet për t’u parë, por është e sigurt që ai ka rënë.

Artikulli paraprakBankat kufizojnë blerjen e borxhit të qeverisë
Artikulli tjetërRrezik për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?