Vijon dita e dytë e sulmeve të Rusisë në Ukrainë, ku gjatë natës është raportuar për shpërthime të tmerrshme mbi Kiev.
Teksa janë bërë 24 orë luftë në Ukrainë, Presidenti Volodymyr Zelensky raporton se janë vrarë nga sulmet ajrore në qytete dhe baza ushtarake 137 civilë dhe personel ushtarak.
Zelenskiy tha se Rusia rifilloi sulmet me raketa në orën 4 të mëngjesit të 25 shkurtit, por trupat e saj ishin ndaluar të përparonin në shumicën e drejtimeve. Shpërthimet u dëgjuan nga Kievi herët më 25 shkurt, ndërsa sirenat ajrore ranë.
“Ata po vrasin njerëz dhe po i kthejnë qytetet paqësore në objektiva ushtarake. Është e keqe dhe nuk do të falet kurrë”, tha Zelenskiy.
Zelenskiy tha se pavarësisht humbjeve, forcat e armatosura të Ukrainës po “mbronin shkëlqyeshëm vendin kundër një prej kombeve më të fuqishme në botë”.
Rusia filloi pushtimin e Ukrainës para agimit të 24 shkurtit, duke lëshuar sulme ajrore mbi qytete dhe baza ushtarake dhe duke dërguar trupa dhe tanke nga shumë drejtime.
Në Uashington, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi për sanksione të reja kundër Rusisë, duke thënë se Putin “zgjodhi këtë luftë” dhe se vendi i tij do të mbante pasojat e veprimit të tij.
Zelenskiy u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit të vendosin sanksione edhe më të ashpra dhe të largojnë rusët nga sistemi SWIFT, një rrjet financiar kyç që lidh mijëra banka në mbarë botën. Biden tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj po e shmangin këtë veprim për momentin, por mund të vendosin më shumë sanksione më vonë.
Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje të zhvillimeve kryesore të orëve të para të ditës së dytë të sulmit rus ndaj Ukrainës:
Dy shpërthime u dëgjuan në Kiev në orët e para të së premtes, më 25 shkurt.
Sulmet shënuan avancimin e sulmit rus në kryeqytetin e Ukrainës.
Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Kievi ka pësuar nga sulme “të tmerrshme” të Rusisë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se beson se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, është “objektiv kryesor i agresionit rus.”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria kanë kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të votojë një rezolutë që dënon pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Australia vendosi më shumë sanksione kundër Rusisë, më 25 shkurt, duke shënjestruar disa nga qytetarët dhe ligjvënësit e saj.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se është e dobishme të mbajnë gjallë mundësinë e dialogut me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ministrat e jashtëm nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian do të takohen më vonë të premten për një seancë urgjente mbi pushtimin rus të Ukrainës.