Nisin shkarkimet e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit, ndonëse ishte premtuar nga qeveria se nuk do të hapeshin portat. Hapja e portave të hidrocentralit të Fierzës ka shtuar rrezikun e përmbytjeve të mëdha në zonën e Nënshkodrës, pasi reshjet rinisën sërish dendur në orët e pasdites. Në hidrocentralin e Fierzës shkarkimet nisën prej mbrëmjes së të enjtes, teksa prurjet anësore e kaluan shifrën e 1000 metër kub për sekondë.
Aktualisht, Fierza ndodhet në kuotën e 293 metrave, kur 296.5 metër është niveli maksimal. Prurjet anësore janë 120 metër kub për sekondë, ndërsa po shkarkohen 800 metër kub ujë në sekondë. Specialistët e Fierzës bëjnë të ditur se HEC-i më i madh në vend po prodhon energji me kapacitet maksimal, teksa në punë janë 4 turbina. Shkarkimet kanë nisur me qëllim menaxhimin e situatës, pasi priten reshje edhe në vazhdim.
Vasil Kola, një banor i Fierzës bën të ditur se, shkarkimet nisën prej mbrëmjes së kaluar në orën 19:00, ndërsa më parë specialistët e Fierzës kishin përjashtuar mundësinë e fillimit të shkarkimeve.
Shkarkime ka edhe në hidrocentralin e Komanit, çfarë shton rrezikun për përmbytje në zonën e Nënshkodrës, pasi reshjet rinisën sërish dendur në orët e pasdites. Shkarkimet në Fierzë kanë vështirësuar qarkullimin mbi urën e lumit Drin që lidh Pukën me Bajram Currin, ndërsa këshillohet evitimi i lëvizjeve sa kohë shkarkimet të jenë të pranishme.
Deri ditën e djeshme në Shkodër dhe Lezhë janë përmbytur më shumë se 3 mijë hektarë tokë si pasojë e hapjes së portave të HEC-it të Vaut të Dejës. Nga të dhënat zyrtare mësohet se në qytetin e Shkodrës, lagjia Ajasëm vijon të jetë e gjitha nën ujë. Në fshatin Obot dhe Ana e Malit, rruga është e pakalueshme, ndërsa rreth 300 hektarë tokë ndodhen nën ujë. Po ashtu në fshatin Obot 100 shtëpi vazhdojnë të jenë të bllokuara nga prezenca e ujit.
Ndërsa në rrethin e Lezhës, aktualisht janë nën ujë rreth 1200 ha tokë. 100 hektarë në Bregun e Matit, rreth 50 ha në Barbullojë dhe rreth 250 ha në zonën e Torovicës. Problematike mbetet argjinatura e Tales. Banorët e Tales janë shprehur të frikësuar nga përkeqësimi i mëtejshëm i gjendjes, ndërsa thonë se, masat ishin të pakta edhe pse dihej se cila do të ishte situata.