Pas tenderëve qesharak për bojëra, mobilie, klor dhe naftë, më në fund kryebashkiaka e Durrësit, Emiriana Sako, u kujtua të hedh sytë nga rrugët e qytetit. Pasi nuk është vënë dorë për më shumë se 20 vjet. Por, Sako kur zgjohet flet me vlera të larta edhe pse shërbimet janë minimaliste. Këtë herë ajo ka firmosur tenderin me vlerë 500 milionë lekë për “Rehabilitim Rruga e Dëshmoreve”.
Dhe nuk do të rikonstruktohet e gjithë rruga, por do të arnohet segmenti nga kryqëzimi me rrugën Mujo Ulqinaku tek Stacioni i Trenit. Gara për këtë projekt është hapur në 3 mars dhe kontrata është lidhur me 12 prill. Kot e ka zgjatur kaq shumë garën Sako, sepse fituesi ka qenë i paracaktuar dhe këtë e tregojnë faktet e më poshtme.
Në dokumente tregohet se për këtë projekt kanë paraqitur interes 20 firma.
Kryebashkiaka me sa duket ka përtuar t’i shqyrtojë një nga një dhe i ka skualifikuar të gjitha që në fazën e parë. Kështu në fazën e dytë mbeti vetëm oferta e kompanisë “ED KONSTRUKSION Shpk”. E cila pa konkurrencë fare u shpall fituese.
Komisionit vlerësues i është dashur të shkoj deri tek oferta e 7 që të shpallë fituesin. Ndërsa për të tjerat as nuk është lodhur fare dhe i ka përjashtuar me argumentin se nuk kanë bërë deklaratën për punëtorë të thjeshtë.
Përveç faktit se ky është një argument diskriminues, ajo që na bie tjetër në sy është kriteri i vlerës së ofertave. Sako e ka shkelur me të dyja këmbët, sepse ka rrëzuar 6 oferta të tjera që ishin më të lira. Konkretisht ofertat e tyre kanë qenë me vlerë nga 320 milionë lekë deri në 370 milionë lekë. Deri në 180 mln lekë më lirë se shpenzimet që pret të bëjë Sako.