Masimo Morati nuk e humb kurrë kontrollin edhe nëse i faturohen lëvizje apo plane, të cilat as nuk i ka çuar nëpër mend. Redaksia e gazetës “Il Giorno”, publikoi dje një prononcim të milanezit, i cili mohoi me shumë klas atë çfarë kishin shkruar për të. “Po më gërryen përbrenda dëshira për të thënë të vërtetën për disa rreshta të fundit të artikullit që keni botuar. U referohem vetëm atyre, pasi më prekin veçanërisht mua. Unë nuk kam marrë kurrë para nga ‘Saras’ (ndërmarrja italiane e rafinerisë së naftës në pronësi të familjes Morati) për t’i kaluar në buxhetin e Interit.
Të gjitha paratë e shpenzuara për Interin kanë ardhur nga buxheti im personal. Nuk kam asnjë problem me tim vëlla (Xhanmarko) dhe dua të nënvizoj se ai gjithmonë ka pasur respekt për vendimet e mia. ‘Saras’ nuk ka asnjë lidhje me Interin”, ishte reagimi i Masimo Moratit.
Më pas, ish-numri një i Interit tentoi që të thoshte të vetën edhe rreth lajmit të botuar nga gazeta e lartpërmendur, sipas së cilës Morati po ndërtonte një konsorcium të përbërë prej katër biznesmenësh italianë, të cilët do të ishin të gatshëm që të blinin Interin. “Nuk më pëlqen fjala konsorcium. Interi nuk është aspak e lehtë për ta drejtuar, por kinezët më kanë siguruar se do të jenë më shumë të pranishëm në Itali”, përfundoi Masimo Morati.