Edhe pse mund të duket një skenar i parealizueshëm mospjesëmarrja e Italisë në Kupën e Botës, për presidentin e Federatës Italiane, Carlo Tavecchio gjithçka është e mundur. Numri 1 i institucionit kryesor të futbollit italian e pranon se, Italia do të luftojë për vendin e parë dhe moskualifikimi në Rusi 2018 do të ishte një tragjedi. Një qëndrim që lë të kuptohet se Italia i trembet surprizave në grupin eliminator ku bën pjesë edhe Shqipëria. Në vijim, Tavecchio thekson se grupi ku bën pjesë Italia është shumë i vështirë dhe në këtë aspekt, të gjitha ndeshjet duhet të vlerësohen maksimalisht.
Fakti që kuqezinjtë do të luajnë ndaj Italisë dy ndeshje eliminatore, e bën edhe më interesante situatën dhe në deklaratën e tij, Tavecchio lë të kuptohet se në mesin e skuadrave që mund të shkatërrojnë rrugën e Italisë drejt Botërorit është edhe Shqipëria. Takimi i parë mes dy kombëtareve do të luhet në datën 24 mars në Itali, ndërsa sfida e kthimit është parashikuar të zhvillohet në 9 tetor. Ky do të jetë edhe 90 minutëshi i fundit eliminator i Shqipërisë e Italisë në Grupin G. Kjo nuk është hera e parë që Tavecchio vë theksin në rëndësinë e çdo sfide, pasi edhe më parë ai ka theksuar se kundërshtarët e tjerë dhe veçanërisht Shqipëria do të jenë pengesa reale për të kaltërit e drejtuar nga Gianpiero Ventura.