Ditën e djeshme në Kavajë, Edi Rama u tregoi shqiptarëve se ka ndërmend të bëjë shumë pak fushatë me postera që ngjiten në mure. Sot, në rrugët e Tiranës u shfaq posteri i Ramës që përfaqësohej nga motoja “Përpara” dhe poshtë tij Berisha dhe Metaj me siglën “kurrë më pas”.
Se si ka mundësi që në Tiranë nuk shfaqet Erion Veliaj por Edi Rama kjo shpjegohet nga ajo çfarë shumëkush e di; Votuesit gri dhe socialistët nuk kanë asnjë ndjeshmëri karshi Erion Veliaj. Ndryshe nga sondazhet që ai mund të ofrojë, realiteti i hidhur për Veliaj mbetet ai i një politikani që ka akumuluar shumë pushtet nga ana monetare dhe mediatike por që sërishmi mbetet një person i papëlqyer tek socialistët.
Meqë kësaj radhe situata është shumë e trishtë në fushatën elektorale, kuptohet që Edi Ramës i duhet të shfaqet ai në lojë për të bindur socialistët që së paku të votojnë Partinë Socialiste. Kjo, në vetvete është shumë ironike, pasi nëse nga viti 2011, Partia Demokratike do të zhdukte nga fushata e Tiranës kryetarin e asaj kohe Sali Berishën për ta zëvendësuar me figurat e reja apo kandidati për kryetar bashkie me Ramën në 2023 ndodh ndryshe.
Beteja e Ramës për të mbajtur të pastër figurën e tij politike gjithë këto vite duke shkuar gjykatë më gjykatë për këdo që i njolloste pak emrin e tij bëhet gjithnjë e më e kuptueshme sot ndërsa ai përpiqet të thërrasë socialistët përmes një pëlqimi të llojit të Kultit të Individit. Duke dëshmuar se në Partinë Socialiste sado që dikush mund të bëjë lojëra politike në fund të ditës i vetmi lider suprem është Rama.
Për të qenë edhe më i suksesshëm në këtë sipërmarrje, Ramës i duhen dhe disa aleatë që për të thënë të vërtetën i ka gjetur lehtësisht. Sali Berisha dhe Ilir Metaj janë aleatët e Ramës në këtë sipërmarrje për të bindur socialistët të votojnë. Dyshja e cila ka krijuar një forcë politike anti-amerikane dhe kundër perëndimore po i jep dorën e duhur Ramës që socialistët e mërzitur të dalin të votojnë Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj ndërkohë që elektorati gri të mos dalë të votojë.
Slogani i gjetur dhe njëkohësisht fotoja e përzgjedhur është ajo dëshmia e trishtë se si Rama po kontribuon të mbajë në jetë një opozitë të tillë të degraduar.
E ka dëshmuar këtë kur vonoi me shumë se ç’duhej vendimin e një gjykate, ndërkohë që po i jep ende oksigjen kësaj dyshe duke shmangur emrin e Ilir Metës në fletën e votimit. I bën të gjitha këto pasi e di që për socialistët, të zhgënjyer me këdo përpos tij, është shumë e thjeshtë shenja për të mos votuar Berishën dhe Metën.
Në këtë ekuacion mbetet pa kuptuar se ku do të fokusohen demokratët. Ndoshta shumë prej tyre mund të zgjohen nga magjia që Ilir Metaj dhe Berisha përmes Celibashit duan t’i fshehin.
Zullumqarët e Shqipërisë në këto tridhjetë vite janë bërë bashkë në përpjekje për të “mbytur anijen e PD” siç nënkuptoi Rama sot nga Kavaja.
Detyra e demokratëve është të mbijetojnë dhe të mësojnë për të mos pësuar më njësoj si në 6 mars 2022 apo këto ditë që po kalojnë.