Nëse Argjentina u trondit nga klasi i Nejmarit me shokë, në Kolumbi, Kili u ndal nga ajri i kondicionuar. Eliminatoret e Amerikës së Jugut ofronin një tjetër supersfidë, atë mes Kolumbisë dhe Kilit, një takim shumë i luftuar, i cili përfundoi me rrjeta të paprekura dhe me të dyja skuadrat që dalin pa plagë të mëdha nga kjo përplasje, ndonëse në Kili akuzojnë për një kurth të organizuar mirë nga të zotët e shtëpisë, diçka që ka bërë menjëherë xhiron e botës.
Ndeshja u luajt në Barankuila, në temperatura shumë të larta dhe me një normë lagështire, e cila ua lodhi jo pak mushkëritë dhe gjunjët të dy ekipeve. Por atë që e priti në dhomat e zhveshjes, Kili nuk do ta kishte menduar kurrë. Për të lodhur edhe më shumë kundërshtarët, të paktën duke iu referuar akuzës së kombëtares së Arturo Vidalit me shokë, kolumbianët kanë shkëputur energjinë elektrike në dhomat e zhveshjes ku qëndronin miqtë kilianë.
Këta, jo vetëm nuk kanë mundur që të freskohen, por të mbyllur nëntokë në ambientet e nëndheshme të stadiumit, temperaturat u bënë edhe më të larta dhe situata u bë nervoze. “Na hoqën ajrin e kondicionuar, duke u justifikuar se kishte një defekt. Në dhomën e zhveshjeve temperaturat u bënë mbytëse, lojtarët nuk kishin ku të freskoheshin, madje ishte e vështirë të merrje edhe frymë në atë ajër të nxehtë dhe të lagësht.
Të tilla gjëra mund të ndodhin vetëm në Amerikën e Jugut dhe jam i bindur se nuk ka qenë një defekt, por një inskenim i kolumbianëve. Kur luhet në nivele të tilla, gjëra si këto janë të patolerueshme dhe ne do të kërkojmë një hetim për këtë ngjarje”, akuzoi dje mesfushori i kilianëve, Hoze Pedro Fuenzalida.