Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko, teksa vazhdon fushatën intensive në kryeqytet ka ndarë një foto nga entuziazmi i të rinjve në mbështetje të tij.
Rinia zë një vend të veçantë në programin dhe vizionin e Bejkos për Tiranën.
“Pa rini nuk ka Shqipëri! Faleminderit të rinjve demokrat për mbështetjen”, ka shkruar kandidati demokrat për Tiranën, krahas fotos që Bejko postoi në profilin e tij Facebook.
Më herët, gjatë paradites së sotme, Roland Bejko, në fushatën e tij intensive si çdo ditë tjetër, ishte në njësinë 5 të Tiranës.
“Njësia 5 në Tiranë është ndër më të populluarat, por gjithashtu mbart shumë probleme, që lidhen me mungesën e hapësirave publike, mungesën e parkimit dhe taksat”.
“Në një takim që mbajta me banorë të kësaj zone, u njoha me problemin e madh të mungesës së hapësirave publike, dhe problemi akut i parkingjeve”.
“Banorët denoncuan Bashkinë Tiranë, se po rrëmben edhe pjesë nga Parku i Liqenit, duke ua bërë më të vështirë jetesën dhe uzurpuar hapësirat publike për ndërtime nga oligarkët”.
“Ju premtova se vota e tyre sjell ndryshim!”
“Duke filluar nga parkimet dhe hapësirat e gjelbërta, ekipi jonë ka hartuar një program që do të shtojë ndjeshëm parkingjet publike në mandatin e parë dhe ndërtojë një park të ri, në çdo lagje, si një domosdoshmëri për një qytet të pastër dhe me #frymëmarrje për Tiranën”, shkroi Bejko.