Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi një takim me banorët e Laprakës, ku i panishëm ishte edhe kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj. Bejko u ndal në programin e tij për Tiranën, ndërsa i ftoi qytetarët ta votëbesojnë më 14 maj për t’i kthyer frymëmarrjen Tiranës.
Bejko u shpreh se duhet ta shpëtojnë Tiranën nga duart e Ramës, Metës dhe Berishës dhe t’ua kthejnë atë qytetarëve, duke i dhënë frymëmarrje turizmit, bujqësisë, arsimit, kulturës.
“Qyteti ynë nuk merr frymë, ndërsa po vjen vera të merr tmerri nga fakti që s’do kesh ujë të pijshëm, ujë për t’u larë, gatuar, që s’do kesh ku t’i shpëtosh zhurmës dhe pluhurit, s’do kesh ku të çosh fëmijët të luajnë e sdo kesh gjë tjetër veçse të ikësh nga qyteti, pra larg tij. Shumica e njerëzve i refuzuan ata të tre, Ramën, Berishën dhe Metën, dhe i refuzuan edhe çirakët e tyre që kandidojnë, Erion Veliajn dhe Belind Këlliçin. Ne do e fitojmë besimin e tyre natyrisht dhe për këtë do përpiqemi çdo ditë, që të marrim në dorë fatin e qytetit për të bërë Tiranën të jetueshme, njerëzore dhe për t’i dhënë saj frymëmarrje. Me qëllim që t’i japim frymëmarrje biznesit të vogël, të mesëm dhe të madh.
T’i japim frymëmarrje arsimit, kulturës, dijes. Të ndërtojmë shkolla, kopshte, çerdhe. T’i japim frymëmarrje duke lehtësuar trafikun. T’i japim frymëmarrje duke zhvilluar bujqësinë në fshat, duke ndërtuar 250 km rrugë që i mungojnë fshatrave rreth Tiranës dhe duke i nxjerr prodhimet e tyre në treg. Në tregun që ne duam ta ndërtojmë në pesë pika në hyrje të Tiranës, pra në ato që ne i kemi quajtur pika policentrike. Ne duam t’i japim frymëmarrje Tiranës edhe duke ruajtur trashigiminë kombëtare duke trashëguar gjithçka të mirë që ka ky qytet me qëllim që ta bëjmë të shitshëm në tregun ndërkombëtar, pra turizimi. Ne duam t’iu japim frymëmarrje njerëzve të lirë të qytetit të Tiranës dhe ta shpëtojmë nga kthetrat e oligarkisë financiare, nga kthetrat e oligarkisë politike dhe nga kthetrat e krimit të organizuar që në Tiranë ka pastruar në këto dy vite jo më pak se 1.6 mld euro. Ne duam ta shpëtojmë Tiranën nga betonizimi dhe t’i japim frymëmarrje në hapësira publike në hapësira të gjelbërta. Ne duam të jetojmë dinjitoz në qytetin tonë. Më 14 maj ju ftoj të votoni numrin 6 kandidatin e PD, Roland Bejko dhe numrin 9 Partinë Demokratike”, tha Bejko.