Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj kërkon votën e qytetarëve të Durrësit për anëtarët e këshillit bashkiak.
Alibeaj 14 Majin e konsideroi një sfidë të cilën qytetarët duhet ta fitojnë duke i dhënë votën PD.
“E di që rruga jonë nuk është e shkurtër drejt fitores përfundimtare sepse përballë nesh qëndron një regjim”, tha Alibeaj.
Sipas Alibeajt, dera e bashkisë së Durrësit është e mbyllur për problemet e qytetarëve.
“Ata i mbajnë mbyllur dyert e bashkive për qytetarët sepse i mbajnë të hapura për klientët, ata të cilët paguajnë nën dorë, me ata të cilët bëjnë biznese të paligjshme kundër interesit publik dhe shpesh herë kriminale.”
Sipas kryetarit të komanduar të PD, ka një arsye pse Rama e ka fokusuar fushatën me Berishën dhe Metën.
“Këta janë kundërshtarët e tij? Jo miqtë e mi, këta nuk janë kundërshtarët e tij. Janë oksigjeni i tij, varka e shpëtimit të tij. Edi Rama nuk ka garë fare, kërkon të përcaktojë vetë opozitën”, u shpreh kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj.