Alibeaj: PD rrezikoi të kthehej në bunker anti-amerikan

Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ishte në Berat ku tha se kjo forcë rrezikohej të kthehej kundër Shteteve të Bashkuara.

“Rreziku ishte ta kthente Partinë Demokratike në një bunker anti-amerikan. Ta bësh këtë gjë, do të thotë ta ekzekutosh Partinë Demokratike. Ta asgjësosh atë. Ndaj një nga arsyet kryesore, të cilat të gjithë bashkë kemi rezistuar ka qenë pikërisht kjo: të mbrojmë Partinë Demokratike me atë vokacion perëndimor siç ajo e ka pasur. Të mos lejojmë madje që në Shqipëri, në popullin më pro amerikan për shkak të të gjithë historisë së këtij vendi, historisë shekullore të këtij vendi, krijohet një vorbull, një shtjellë anti-amerikane”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha se Berisha cënoi marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.

“Sali Berishën pasi e shpallën ‘non grata’ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të majtët e Amerikës e shpallën ‘non grata’ edhe të djathtët e Mbretërisë së Bashkuar, partisë Konservatore, partisë simotër të Partisë Demokratike. Që nuk janë Soreistë, nuk kanë asnjë lloj lidhje”.

Sipas Alibeajt, Berisha, Meta dhe Rama punojnë për njëri-tjetrin.

“T’i marrësh demokratët ato që e kanë njehsuar identitetin e tyre me PD, t’i marrësh e ti çosh në strofkull politike të majtë aspak virtuoze siç është LSI, ky është mëkati më i madh”, tha Alibeaj.

Alibeaj kërkoi votat e banorëve të Beratit për këshillin bashkiak të këtij qyteti.

Artikulli paraprakSali Berisha paska qenë dje në Mamurras!
Artikulli tjetërKandidatja e PD për Fierin, Eriselda Çelaj takime me qytetarë: Nuk bëjmë kompromise me të ardhmen e fëmijëve tanë.