BE: Korrupsioni i Ramës dhe krimi, probleme serioze

Përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të institucioneve të tjera të vendit, përfshirë Prokurorinë, gjykatat dhe Parlamentin nuk krijuan përshtypje të mirë në Komisionin Europian, i cili i dha Shqipërisë notën e dytë më të ulët për nivelin e përgatitjes për anëtarësim, ndërsa nënvijëzoi se ndryshimet e kryera gjatë vitit të fundit janë “të pakta”.
Në raportin e progresit të vitit 2016, nënvijëzohet se miratimi i Ligjit “Për Sinjalizuesit” përbën një ndryshim për mirë, krahas paketës së ndryshimeve kushtetuese të njohura si Reforma në Drejtësi, por kjo nuk mjafton dhe Shqipëria do të duhet të punojë më shumë.
“Korrupsioni mbetet dominues në shumë fusha dhe vijon të jetë një problem serioz”, thuhet në raport, i cili vëren se nuk është bërë progres në zbatimin e kërkesave për ndryshime ligjore mbi përgjimet dhe vrojtimet, si dhe vlefshmërinë e këtyre përgjimeve nëpër gjykata. Brukseli kërkon gjithashtu rishikimin e kuadrit ligjor mbi financimin e partive me synimin final të krijimit të një sistemi auditues funksional mbi të ardhurat dhe shpenzimet e këtyre partive.
Raporti i progresit të Komisionit Europian publikohet për të gjitha vendet kandidate për anëtarësim një herë në vit. Për vitin 2016, Komisioni Europian vlerësoi arritjen e miratimit të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi dhe rekomandoi para Këshillit të Ministrave hapjen e negociatave me kusht për Shqipërinë, ku kushti konsiston në zbatimin efektiv të Reformës në Drejtësi, përfshirë procesin e Vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve. Aktualisht, ligji i Vetingut është bllokuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila i është përgjigjur kërkesës së Partisë Demokratike dhe e ka pezulluar zbatimin e ligjit.
Gjithsesi, pavarësisht rekomandimit të hapjes së bisedimeve me kusht, raporti i vitit 2016 është i mbushur me vlerësim për ecuri të dobët të punës së qeverisë dhe institucioneve të shtetit shqiptar në rrugën e integrimit, ndërsa në shumicën e fushave, Shqipëria vlerësohet se gjendet në hapat e para ose është relativisht e përgatitur për anëtarësim.
Në rast se bisedimet për anëtarësim hapen, Shqipëria do të duhet të vijojë zbatimin e kërkesave të Brukselit në të gjitha fushat derisa Komisioni ta konsiderojë vendin tonë gati për anëtarësim.

Vetëm peshqit e vegjël

Raporti vëren se numri i rasteve të hetimit, përndjekjes dhe dënimit të korrupsionit ka qenë në rritje që nga viti 2010, por këto raste përfshijnë vetëm zyrtarë të ulët dhe të mesëm, ndërsa numri i përgjithshëm i dënimeve vijon të mbetet i ulët e numri i zyrtarëve të nivelit të lartë të dënuar mbetet pothuajse zero.
Brukseli kërkon para së gjithash që autoritetet shqiptare, përfshirë policinë dhe Prokurorinë të kryejnë hetime proaktive, si dhe hetime financiare, të cilat duhet të sjellin jo vetëm dënimin e të korruptuarve, por edhe konfiskimin e aseteve të krijuara përmes korrupsionit.
Raporti vëren gjithashtu se masat e dënimeve të korrupsionit, edhe në ato pak raste të niveleve të ulëta që janë identifikuar, janë “tepër të ulëta”.

Problem me Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Në kapitullin mbi luftën ndaj krimit të organizuar, Komisioni Europian nënvijëzon faktin se Shqipëria ka një numër minimal dënimesh finale për aktivitetin e krimit të organizuar dhe vëren se problemi duket se qëndron te Prokuroria e Krimeve të Rënda.
“Ka pasur pak progres në shkatërrimin efikas të rrjeteve të krimit të organizuar”, thuhet në raport. “Numri i dënimeve finale për krim të organizuar (organizata kriminale dhe grupime të strukturuara kriminale) ka mbetur sërish shumë i ulët dhe është rritur në mënyrë shumë margjinale gjatë kohëve të fundit. Një përqindje relativisht e lartë e çështjeve të krimit të organizuar të regjistruara te Prokuroria e Krimeve të Rënda i është transferuar zyrave vendore të Prokurorisë apo janë mbyllur me vendime pushimi bazuar në mungesën e provave ose në cilësinë e ulët të kallëzimeve. Cilësia e vendimeve të pushimit duhet të përmirësohet e po ashtu edhe cilësia e kallëzimeve. Për më tepër, Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet të koordinojë më tutje hetimet me oficerët e Policisë Gjyqësore për të mbledhur provat e nevojshme për hapjen e një çështjeje”.
Analiza e Brukselit vëren gjithashtu se kapaciteti për të kryer hetime financiare nga ana e Policisë së Shtetit duhet të përmirësohet më tutje dhe po kështu duhet të shtohen hetimet financiare për shënjeshtrimin e grupimeve kriminale.
“Fitimet e krimit shpesh zhduken, duke rezultuar në një histori të varfër të rasteve të aseteve të konfiskuara në përfundim të dënimeve finale. Më pak se gjysma e çështjeve të krimit të organizuar ka sjellë konfiskimin e aseteve”, thuhet në raport.

Raporti: Të papërgatitur për hapjen e negociatave

Përveç matjes së ecurisë në krahasim me vitin e kaluar, Komisioni Europian ka matur edhe gjendjen në të cilën janë përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësim për këto fusha. Nga analizimi i raportit të vitit 2016, në pesë fusha, Shqipëria vijon të klasifikohet si “në hapat e para” të përgatitjes për anëtarësim, në 15 fusha konsiderohet si “nivel i ulët përgatitjeje”, ndërsa në 19 fusha konsiderohet si “nivel i ulët mesatar” ose “nivel mesatar”, ndërsa vetëm në një fushë Shqipëria vlerësohet me “nivel të mirë përgatitjeje”. Në asnjë fushë nuk kemi marrë notën maksimale të të qenit “vend i përparuar në përgatitje”.
Në krahasim me vitin 2015, ndryshimet në vlerësim janë minimale. Fushat e vlerësuara si “në hapat e para” kanë rënë nga 8 që qenë në vitin 2015 në 5 në vitin 2016, ndërsa fushat e vlerësuara me “nivel të ulët përgatitjeje” janë rritur nga 13 në 15.

Artikulli paraprakNjë këlysh i Bllokut flet për Dhjetorin ‘90
Artikulli tjetërLigj i ri për arsimin profesional