Kandidati i PD-së për Mallakastrën, Agron Kapllanaj ka reaguar në lidhje me lajmin që qarkulloi ditën e djeshme në media, ku thuhej se një grua ishte shoqëruar në polici pasi dyshohej se blinte vota për të.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kapllanaj shkruan se kjo është një sajesë, pasi rivalët po e ndiejnë humbjen dhe jo vetëm që i praktikojnë vetë këto manovra, por nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të shpifin. Reagimi i kandidatit të PD-së për Mallakastrën vjen një ditë pasi një grua u shoqërua nën dyshimet se blinte vota për Kapllanaj. Por si një akuzë pa prova, e thënë ndryshe shpifje, ajo shumë shpejt u la e lirë pasi nuk u gjet asnjë fakt.
Ai shkruan se mallakastriotët as nuk blihen dhe as nuk shiten.
“Mallakastriotët as nuk blihen, e as nuk shiten. Mallakastriotët janë qytetarë të punës e me vlera. Asnjë sajesë e shpërndarë në media, asnjë lajm i fabrikuar, nuk e ndal ndryshimin në Mallakastër.
“Unë kam punuar e do të punoj me shpirt për këtë qytet e për çdo qytetar mallakastriot. Përbuz çdo akt që ofendon qytetarët, të cilët unë po kërkoj t’i përfaqësoj, ashtu sikurse përbuz gjithkënd që tenton të bëjë pis karakterin tim”.
“Ndryshimi është afër. Më 14 Maj, bashkë do ta rikthejmë Bashkinë te qytetarët”, shkruan Kapllanaj në postimin e tij”.