Ditëve të fundit ka pasur tensione të shtuara në kampin e migrantëve në afërsi të qytetit Idomeni në Greqi, ku më shumë se 10 mijë migrantë dhe refugjatë kanë mbetur të ngujuar që nga muaji shkurt, kur vendet e Ballkanit mbyllën kufijtë për të gjithë ata që synonin Perëndimin.
Për krizën me migrantë sot ka folur para anëtarëve të Parlamentit Evropian në Strasburg, Donald Tusk, kryetar i Këshillit të BE-së.
“Ne duhet ta kujtojmë se ‘rruga ballkanike’ nuk është e vetmja dhe se shtetet e tjera gjithashtu presin bashkëpunimin dhe solidaritetin tonë, jo vetëm Greqia dhe Bullgaria”. Kur flas, e kam në mendje edhe rrugën e Mesdheut. Numri i migrantëve të mundshëm nga Libia është alarmues. Kjo nënkupton se ne duhet të jemi të gatshëm për të ndihmuar dhe treguar solidaritet me Maltën dhe Italinë, nëse ato e kërkojnë një gjë të tillë”, ka thënë Tusk.
E ashtuquajtura “Rrugë e Ballkanit” ishte e preferuara për migrantët që synonin Perëndimin. Përmes saj, vitin e kaluar, rreth 1 milion migrantë arritën në Evropën Perëndimore, kryesisht nga Lindja e Mesme, por edhe nga vendet e tjera.