Berisha po mban peng opozitën, qytetarët i kërkojnë të hapë krahun

Fitorja dërrmuese e Partisë Socialiste, e vetme në mbi 50 bashki, ngjan me pikën më të ulët të pluralizmit në Shqipëri.

Pa i hequr asnjë meritë për fitimin e zgjedhjeve partisë në pushtet, këto zgjedhje treguan atë që shumë e dinë, të gjithë në një formë apo në një tjetër e pranojnë, që me opozitën aktuale, të vjetër, të ndarë, të paaftë të prodhojë alternativa të besueshme, e jo më frymë, Edi Ramën do ta kemi me shumë gjasa me shumicë dërrmuese në pushtet edhe të paktën 6 vjet të tjera.

Shqipëria mund të jetë gdhirë socialiste në 90 përqind të territorit, por pavarësisht se shumica e shqiptarëve kanë votuar majtas në 30 vjet, kjo nuk do të thotë që vendi meriton opozitën që prodhuan këto zgjedhje. Zgjedhjet e 14 majit veçse vulosën atë që kishte kohë që gatuhej në ndërgjegjen e votuesve.

Shenjat ishin dhënë që me Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin, kur shqiptarët preferuan të votonin sërish Edi Ramën për mandatin e tretë (mandatin e tretë!!!) për të mos kthyer Sali Berishën dhe Ilir Metën në pushtet. Më shumë se një herë, në 2021 e në 2022, edhe pse këto të fundit zgjedhje të pjesshme lokale.

Një leksion që nuk u kuptua nga masa e anëtarësisë së dy partive, të cilët në mënyrat dhe format e diskutueshme vazhduan me lidershipin e vjetër, ndoshta edhe nën dhunën e dy udhëheqësve tradicionalë, të cilët partitë i konsiderojnë pronë të tyre dhe nuk lënë asnjë hapësirë për daljen e figurave të reja.

Të rinjve që duan të bëjnë përpara u duhet të konformohen sipas modelit të liderit (shih Belind Këlliçin) e të presin momentin, vdekjen fizike të liderit për të synuar partinë. Vdekjen fizike, sepse Sali Berisha, për të mos thënë me sa duket edhe Ilir Meta, politikisht janë të vdekur, sepse të dy bashkë nuk arritën të merrnin as sa Lulzim Basha në ditën e tij më të keqe.

Të dy bashkë e mundën Lulzim Bashën vetëm në zgjedhjet ku ai nuk mori pjesë. Por edhe duke mos marrë pjesë, të paktën Lulzim Basha mbajti Bashkinë e Shkodrës, që këta e humbën në mënyrë të turpshme.

Kjo nuk do të thotë se me Lulzim Bashën e 21 prillit 2021 opozita do të kishte shpresë. Përkundrazi, rezultati do të kishte qenë sërish me humbje, ndoshta jo në këto përmasa, por sërish humbje e thellë, për sa kohë ai ishte kopja e keqe e origjinalit.

Në cilëndo formë, opozita në sytë e atyre që duan të shohin dhe dinë të lexojnë kishte kohë që po shkonte drejt shtratit të vdekjes.

Dhe i pari që e kishte dhe e ka të qartë këtë, është Sali Berisha. Ai e ka lexuar me kohë faktin se koha e tij politike ka mbaruar, se shqiptarët që kanë lindur, janë rritur, po lindin breza të tjerë me Sali Berishën në krye të politikës, nuk duan ta pranojnë më atë, se ata që e kanë votuar në më shumë se 3 dekada po bëhen gjithmonë e më të paktë e po largohen prej tij, e që në rastin më të mirë nuk dalin më as të votojnë.

Por kjo pak i intereson. Atij i intereson për arsyet që dikur i thoshim nën zë, e tani janë në dritë të diellit, vetëm të ruajë gardhin e vet, sado i vogël, sado të zvogëlohet zgjedhje pas zgjedhjesh. Sali Berishës nuk i duhet një PD në pushtet, sepse e di që kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.

Tani këtë e dinë edhe ata që e votuan, ata që e rrethojnë, ata që e mbështesin sepse kanë vënë gurin në radhë për kur ai të mos jetë më. Tani e dinë të gjithë, edhe ata më të verbrit.

Sali Berishës i duhet një formacion politik që ta mbrojë nga ato që ai ka frikë se do t’i ndodhnin nëse do të ishte një qytetar i lirë, një njeri i thjeshtë që do të kujtohej për të mirat apo të këqijat që ka bërë në karrierën e tij politike.

Madje, do të ishte shumë më i vlerësuar nëse në 2013-n do të kishte ikur e do të kishte parë punët e tij, sepse koha kalon dhe zullumet sado që nuk harrohen, në memorien kolektive zbehen, ndërsa të mirat rivlerësohen.

Por me sa duket në koshiencën e tij zullumet e mbysin çdo gjë tjetër dhe e mbajnë peng Berishën që të vazhdojë të jetë në politikë e të mbajë peng opozitën, ndërkohë që opozita me Sali Berishën vazhdon të mbajë peng vendin.

Prandaj edhe pyetjet për dorëheqje janë qesharake kur i drejtohen atij. Nuk ka për të ikur kurrë, edhe sikur të marrë vetëm një mandat, atë të vetin

Artikulli paraprakTjetër disfatë për Berishën dhe Metën, PS merr shumicën e këshillave bashkiakë
Artikulli tjetërAçka: Belind Këlliçi duhet t’i kërkojë publikisht i pari Berishës të largohet