Mbrohen duke akuzuar

Zef Ndreka

Në çdo dalje publike në tv të ndryshme, vërehet një vështirësi në rritje e moderatorëve për të kontrolluar qetësisht emisionet e tyre, sidomos pas ndalimin të Malltezit dhe kufizimit të lirive për Berishën dhe bashkëpronarin e kompanisë ndertuese tek ish kompleksi Partizani.
Zhurma që bëhet enkas, ka për qëllim që të turbullojë më tej opinionin publik.
Nuk ka argumente nga ata që ngrejne zërin, sidomos Noka i cili është diktuar të marrë rolin e zhurmuesit.
Analistët nuk e mbrojnë dhe nuk mund të mbrojnë aferën korruptive tek ky kompleks i cili është ndërtuar duke përdorur gjithë strukturat e shtetit, gjithë ministritë, kryebashkiakët e Tiranës, deri edhe Presidentin e vendit.
Çfarë tjetër është mafja, sidomos kur është e ulur në pushtet?!
Tani po hetohen. Presionet me revolucione nuk pijnë ujë.
Nga ana tjetër vërehet dy linja nga Berisha.
E para, bën sikur mbrohet duke sulmuar Edi Ramën për gjithë aferat korruptive të tij dhe të qeveritarëve të tij, duke anashkaluar thelbin e problemeve.
E dyta, enkas dekonspirohet kur deklaron se akuzohet per pasurim parash! Kur në fakt, kjo akuzë ende nuk është artikuluar nga SPAK-u për të.
Por nën presionin e shumëfishtë që gjendet, Berisha e ka humbur turuan.
Tani, ai do të marrë me vete gjithë bashkëpunëtorët e tij me të cilët ka përfituar duke bërë ligje specifike në favor të tij, të familjes së tij dhe të oligarkëve.
Berisha nuk mund të mbrohet më, as të fshihet. Më e drejta do të ishte të bashkëpunonte hapur me drejtësinë, e jo të mbajë këtë qëndrim injorues siç po vepron tani. Do ishte më mirë për të, të ishte i matur dhe i përmbajtur.
Dënimi i grupit mafjoz të foltores dhe me pas të socialistëve, do të hapë një epokë të re për demokracinë në Shqipëri. Sepse, është momenti kur mbaron tranzicioni kaq i stërzgjatur dhe vendi futet në shinat e vërteta të demokracisë pa pengmarrësit e saj…

Artikulli paraprak‘Kontribut Patriotik’: Si u transformuan 113 m2 tokë në miliona euro pasuri
Artikulli tjetërSHBA kërkon ekstradimin e sulmuesve në Banjskë: Duhet të ketë përgjegjësi të plotë