Gazetari Poli Hoxha teksa komentoi në Dritare TV akuzat e SPAK për Sali Berishën lidhur me çështjen ‘Partizani’ ka treguar ‘rrugët’ që mund të zgjedhë ish-kryeministri për t’i shpëtuar hetimeve.
Hoxha tha se hetimet e SPAK treguan se Berisha ka shkelur besimin e qytetarëve dhe se ka përdorur pushtetin për pasurimin e familjes ndërsa shtoi: Nuk ka më alibira, nëse je caktuar në krye të shtetit për t’i mbrojtur dardhat e vendit, do mbash përgjegjësi!
Ndër të tjera gazetari ka treguar se Berisha mund të zgjedhë që hetimet e SPAK t’i shmangë përmes mbrojtjes së avokatëve ose të kërkojë azil politik.
“Nuk ka më alibi, nëse je caktuar në krye të shtetit për t’i mbrojtur dardhat e vendit, do mbash përgjegjësi. Aq më tepër kur ndryshon VKM, pasi kjo përkthehet në pasuri për familjen. Është proces i kthjellimit të turbullirës, që nuk kuptohet ku është propaganda, kohë historike.
Është ngjarje e madhe, përtej Berishës. Kemi mazhorancën që hesht, jam i sigurt se pas familjarëve më i mërzitur është Rama. Edhe opozita, grupi Bardhi-Berisha që nuk njeh sistemin, gjykata, SPAK dhe parlament. E vetmja rrugë që ka është që të godasë nëpërmjet avokatëve, nëse del i pafajshëm do të jetë më i fuqishëm.
Ose të bëhet ilegal, si person që thotë se është diktaturë e lufton me revolucion. Ose të kërkojë azil politik, pasi thotë se është proces politik. Këto janë rrugët e Berishës, të tjerat janë përpëlitje”, tha Hoxha.
Ai deklaroi se Ilir Meta ashtu si Sali Berisha, do të përfshihet në hetimet e SPAK për korrupsion.
“LSI është SHPK, është një lëvizje që ekziston lideri pa ekziston edhe ajo. Në momentin që liderit i fillojnë problemet penale, bie në letargji. Kur është në pushtet fryhet, shkon 250 mijë vota, kur nuk është në pushtet thahet.
Në këtë kuptim nuk e shoh fare, Ilir Metën e shoh si pjesë të kësaj që po ndodh me Berishën. E pres, të ndodhë si me Metën, ashtu dhe Ramën, kolonave të këtij tranzicioni.
E kanë gatuar vetë fatin e tyre, jo ne. Na kanë vjedhur, edhe kohën madje. Prej demokracisë mendonim se do të hynim në BE dhe kaluan 32 vite dhe ende nuk ka shpresë.
Si mund t’i them unë vajzës që voto për Berishën, duhet t’ju hapin rrugë të rinjve. Këta nuk lëvizin, nuk shkuleshin as me votë. Tani të ndiqet rruga penale”, tha Hoxha.