Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme ka vënë nën sekuestro preventive një pjesë të truallit mbi të cilin ish deputeti socialist Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme Olta Xhaçka, po ndërton një kompleks turistik.
Kjo masë vjen pas një kallëzimi penal të bërë nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, sipas të cilit dokumentet e pronësisë së kësaj sipërfaqe janë falsifikuar nga trashëgimtarët e një banori të Himarës, në bashkëpunim me kryebashkiakun socialist Jorgo Goro, me qëllim që ajo të përfitohej më pas nga zoti Gaçi.
I ndodhur në arrest më burg nën akuzën e shitblerjes së votës, në zgjedhjet vendore të 14 majit, kryetari i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, depozitoi në muajin gusht një kallëzim penal ndaj rivalit të tij socialist, Jorgo Goro, trashëgimtarëve të një banori të Himarës si dhe ndaj ish deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, anëtare e parlamentit, emri i së cilës është po ashtu mes të kallëzuarve.
Zoti Beleri denonconte faktin se bëhet fjalë për një sipërfaqe mbi 5 mijë metra katrorë tokë, të cilat i janë njohur trashëgimtarëve të familjes Mëhilli si pronë, përmes dokumenteve të falsifikuar dhe akteve, sipas tij në shkelje të ligjit, nga ana e kryebashkiakut Jorgo Goro dhe zyrës së regjistrimit të pasurive. Ai pretendon se e gjithë kjo praktikë ka patur si synim që kjo sipërfaqe t’i kalojë ish deputetit socialist Gaçi, i cili e ka blerë më pas atë, duke e përfshirë si pjesë të terrenit ku ai ka nisur të ndërtojë një kompleks turistik në bregdet.
Çështja u trajtua më shpejtësi nga Prokuroria e Posaçme e cila ka marrë në pyetje për rastin, pak javë më parë, si zotin Goro ashtu dhe zotin Gaçi, të cilët shmangën komentet për gazetarët.
Sot u mësua se ndërkohë, mbi këtë sipërfaqe trualli, është vënë sekuestro preventive. Madje sipas zonjës Xhaçka e cila reagoi në rrjetet sociale, ndaj disa komenteve të ish kryeministrit Berisha, kjo masë është marrë po ashtu disa javë më parë “për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994”, shkruajti ajo duke shtuar se nuk ka dyshime mbi qëllimin e Prokurorisë së Posaçme e se nuk ka pse ta komentojë.
Ndërtimi i një hoteli me 5 yje, nga zoti Gaçi, u bë objekt polemikash pasi kompania e tij mori statusin e investitorit strategjik, duke u tërhequr disa muaj më vonë, pasi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me një kompani të paraqitur si amerikane dhe me përvojë, por që në të vërtetë, ishte themeluar nga e fejuara amerikane e vëllait të zonjës Xhaçka, dhe pa ndonjë eksperiencë në fushën e turizmit.
Ky rast, u bë shkak edhe për vënien në diskutim të mandatit si deputete të zonjës Xhaçka. Ishte opozita ajo që pretendoi se bëhej fjalë për konflikti interesi, duke qenë se kompania e zotit Gaçi përmes statusit të investitorit strategjik, përfitonte shfrytëzimin e bregdetit. Ndonëse shumica nuk pranoi dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit e konsideroi të gabuar vendimin, dhe i ka kërkuar parlamentit që t’ja përcjellë asaj rastin, si i vetmi autoritet që mund të vlerësojë pavlefshmërine ose jo të mandatit të një deputeti. Por ndonëse Gjykata është shprehur që në muajin Janar, parlamenti nga ana e tij po e zvarrit procedurën dhe çështja është ende pezull./VOA