Barka po mbytet

Nga Namir Lapardhaja 

Gjithkush që e ka njohur Berishën e hershëm ka pasur bindjen e thellë se po të vijë puna që ky përbindësh të shtrëngohet ta lërë pushtetin, ai do kapej pas kangjellave të Presidencës dhe nuk do shkulej pa e tërhequr zvarrë me gjithë kangjella.

Kjo është profecia që po vërtetohet. Veç jo me kangjella dhe Presidencë, por me PD dhe opozitë.

Sot nuk ka asnjë dilemë se për çfarë i është dashur Berishës vula.

Dy vite me radhë i gënjeu demokratët kur u premtoi bashkimin dhe fitoren. Ata, për shkak të tij, sot janë më të përçarë, më të dëshpëruar, më larg fitores, se kurrë.

Hetimi i nisur nga SPAK, arrestimi i dhëndrit, masa e dhënë ndaj vetë atij, si dhe zhvillime të tjera majtas dhe djathtas, tregojnë se PD-ja i është dashur pikërisht për këtë ditë.

Ka shpresuar se nëpërmjet saj do të mbante larg Drejtësinë, se duke e shndërruar selinë në një bunker nuk do t’i afrohej rreziku, se duke u vetëflijuar demokratët si kamikazë do t’i ripërtëriheshin forcat.

Nuk është rastësi pse një numur i të implikuarve në dosjen e kompleksit “Partizani” janë sot mbrojtësit e tij më të zjarrtë.

Janë pikërisht ata që iu bashkuan të parët turravrapit të tij drejt kurrkundit, ashtu sikurse nuk është për t’u habitur se si të ngjashëm me probleme me drejtësinë, i janë bërë gardh dhe shpresojnë se, nëpërmjet zhurmës dhe kaosit, do të arrijnë të shpëtojnë të thatë nga barka që po fut ujë.

Lajmi i mirë në gjithë këtë histori është se qytetarët shqiptarë janë thellësisht indiferentë ndaj asaj që po ndodh, pavarësisht zhurmës mediatike.

Prokuroria e Posaçme po tregon se është e vendosur t’i shkojë në fund korrupsionit tridhjetëvjeçar.

Goditja e Berishës dhe e familjes së tij është prova e sigurt se gjithë hajdutët e tjerë i pret i njëjti fat mbi të njëjtën barkë të çpuar që po mbytet pak nga pak.

 

Artikulli paraprakArrestimi i ish-drejtoreshës së Kadastrës në Durrës, SPAK njoftim: Pjesë e grupit të strukturuar kriminal, pastroi paratë e të dënuarve në Belgjikë
Artikulli tjetërU akuzua se u përfshi në rastin “McGonigal”, Dorian Duçka paraqitet në SPAK