I vihet zjarri në Karaburun gomones së mbushur me 2 ton drogë, pasi po ndiqej nga Guardia Di Finanza. Bëhet e ditur se, mjeti lundrues u pikas gjatë natës në brigjet e Vlorës, por autorët arritën të largoheshin. Mësohet se trafikantët braktisën mjetin në Gjirin e Gramës, duke i vënë flakën bashkë me ngarkesën dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.
Gomonia u gjet e djegur paraditen e djeshme, kurse në mjet është gjetur edhe një sasi e madhe kanabis e djegur. Burimet nga Policia e Vlorës bënë të ditur se, mjeti lundrues u pikas i djegur gjatë kontrollit të Policisë Kufitare në terren, ndërsa mësohet se ishte e mbushur me 2 ton kanabis që kishte si destinacion Italinë. Sipas të njëjtave burime, personat posedues të mjetit, pasi u pikasën dhe ndoqën nga Guardia di Finanza u rikthyen për në brigjet shqiptare. Dyshohet se trafikantët janë shqiptarë, pasi njohin terrenin e Karaburunit, në të cilën dyshohet se janë fshehur.
Dy ditë më parë, policia italiane sekuestroi në Brindizi 400 kilogramë kanabis të mbërritur nga Shqipëria. Aksioni është kryer nga Guardia Di Finanza në qytezën e San Pietro Vernotico dhe në pranga kanë rënë dy persona, një shqiptar dhe një italian. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA ndaj tyre rëndon akuza e trafikut të lëndëve narkotike.
Droga u gjet në shtëpinë e Luca Sabetta, 37-vjeç, tregtar ambulant i kërmijve. Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u prangos dhe shqiptari Vezhdan Brahimaj, 48-vjeçar nga Vlora. Shqiptari po ngiste një kamion që u kontrollua pranë shtëpisë së italianit. Një pjesë e lëndës narkotike, 248 kilogramë ishte e vendosur në fundin e dyfishtë të një kamionçine. Ndërsa 138 kilogramë u gjetën në banesën e shtetasit italian.
Droga dyshohet se kishte mbërritur në Itali me gomone nëpërmjet kanalit të Otrantos. Po hetohet nga origjina e drogës, koha e trafikimit të saj dhe mënyra se si ajo do të shpërndahej në tregun italian.