Mançester United është klubi i futbollit që paguan më shumë për rrogat në botë. Sipas një studimi të “Sporting Intelligence”, rezultoi se “Djajtë e kuq” paguajnë mesatarisht një rrogë prej 5.77 milionë paundësh në vit për çdo futbollist. Studimi për pagën mesatare është bazuar te të dhënat e 10 mijë sportistëve të 333 skuadrave në 7 disiplina të ndryshme.
Por klubi sportiv që paguan më shumë është Klivland Kavaliers: kampionët e NBA-së paguajnë mesatarisht 6.5 milionë paund për basketbollist. Ata ndiqen nga ekipi i bejsbollit, Nju Jork Jenkis. NBA mbetet edhe sporti më i paguar në botë, me yjet e kësaj disipline sportive që paguhen mesatarisht 4.8 milionë paund në vit.
Ekipet e basketbollit në NBA janë përfshirë masivisht në këtë listë të pasurish, falë edhe efektit të “Brexit” mbi dollarin, si dhe të së drejtës së re televizive, kështu që dy nga tre ekipet më të pasura në botë, në lidhje me rrogat, janë tashmë ekipe të NBA-së.
Në dhjetëshen e skuadrave me pagën mesatare më të lartë, futbolli përfaqësohet edhe nga Barcelona dhe Mançester Siti, të pozicionuara në vendin e 5-të dhe të 9-të, me paga mesatare respektive 5.64 dhe 5.42 milionë paund. Për sa u përket futbollistëve, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi dominojnë me një pagë prej 18.98 milionë paund secili në sezon. Në vendin e tretë pozicionohet Garet Bejl, i ndjekur nga Hulk, Pogba e Graciano Pele.
Mbyllin dhjetëshen e lojtarëve më të paguar Nejmari dhe Zlatan Ibrahimoviç, që renditen respektivisht në vendin e 9-të dhe të 10-të. Premier Liga është liga e futbollit më e mirëpaguar në planet. Mesatarja e pagave mesatare të ekipeve elitare në Angli është 2,438,275 paund në vit. Kjo është gati dyfishi i mesatares së rrogave në La Liga, që është 1,239,295 paund në vit për futbollist.