Deputeti gjerman kundër Berishës, Kulluri: Çështja e klubit Partizani nuk i përket PD-së

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri, komentoi në “Tirana Live” në ABC deklaratën e deputetit gjerman Gunther Krichbaum lidhur me situatën e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai u shpreh se Berisha ndodhet në një ditë të vështirë, por shton se ligji është i barabartë për të gjithë dhe se partitë politike nuk duhet të përplasen me institucionet e zbatimit të ligjit.

“Besoj që Gunther Krichbaum, është një nga miqtë më të mirë të të djathtës, ka qenë në krah të PD-së, dhe di të them që është njeri i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor. Është munduar shumë në 2019 që të ulë kostot e PD, dhe të thuash që është blerë nga Edi Rama është e papërgjegjshme. Për këtë që po ndodh në PD nuk ka asnjë kënaqësi, por e them që nuk është në pozitën më të mirë. Është ditë e vështirë për Berishën personalisht, por ligji është i barabartë për të gjithë. Në demokraci nuk mund të dalësh kundër sistemit të balancave të pushteteve”, theksoi ndër të tjera Kulluri.

Gjithashtu gjatë kësaj interviste, ai shtoi se sa i përket çështjes së klubit Partizani Lulzim Basha dhe shumë deputetë të tjerë nuk kanë asnjë lidhje, duke shtuar se një parti politike nuk duhet të bëhet avokatë për çështje penale.

“Zoti Basha nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje, dhe shumë deputetë nuk kanë lidhje me çështjen e klubit Partizani dhe ndaj mendojmë se kjo çështje nuk i përket Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, po të shihni PS të paktën për sy e faqe për imazh publik distancohet, pasi një parti politike nëse bëhet avokate për një çështje penale nuk dëmton sistemin e drejtësisë, por veten e saj”, tha ndër të tjera Kulluri.

Artikulli paraprakSHËNIM/ Rama shuan “Revolucionin” e pasdites me pështymë
Artikulli tjetërTentoi të rrëmbente tokën tek Kepi i Rodonit, Kisha Katolike: Mark Frroku s’është autorizuar nga ne, donin të përfitonin