Botohet e rishikuar “Historia e shqiptarëve në shek XX”, Krasniqi: Larg politikës, amatorëve e konspiracionit

Të ardhur nga një kohë kur historia dominohej nga propaganda dhe nga një tranzicion kompleks, në promovimin e pesë vëllimeve të Historisë së shqiptarëve gjatë shekullit të XX, drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi e gjen me vend ta prezantojë botimin, kështu:

“Në kohën kur publiku çdo ditë në Shqipëri, deri diku imponohet dhe injektohet nga fenomene të politikës, dhe përpjekje të politikës për të bërë histori, për të imponuar dhe deformuar shpeshherë ngjarjet historike, nga suksesi afatshkurtër i asaj që quhet turbo-historia amatore, ose i historisë fisnore e krahinore, nga modelet e plagjiaturës, risku i plagjiaturës dhe elemente që lidhen me teoritë konspirative që në Shqipëri janë shumë të njohura, ne jemi munduar që në këtë mjedis, të prodhojmë një vepër që i tejkalon të gjitha këto problematika dhe ofron një lloj serioziteti të institucionit që përfaqësojmë” tha Afrim Krasniqi.

Vepra me gjasë do të mbetet testament për shkak të asaj që i paraprin. Ndërsa ju drejtua presidentit të vendit, e nënkuptoi shkrirjen me akademinë e Shkencave, Krasniqi kujtoi se këto vëllime janë produkt i lirisë akademike. Vetë Begaj e ripërsëriti nevojën e lirisë por pa i dhënë zgjidhje.

“Shkolla Shqipe e Iballës është hapur më 1903, ndër të parat shkolla shqipe të hapura. Informacion i munguar, ndaj duhen këto konferenca shkencore, ndaj duhet edhe liria akademike ndaj edhe duhet edhe kërkimi shkencore që politikanët të informohen. E çmoj kontributin tuaj në veçanti dhe të shkencës albanologjike dhe i kuptoj vështirësitë me të cilat përballeni”, tha presidenti Bajram Begaj.

Profesor Beqir Meta si drejtues shkencor i projektit përmendi se 5 vëllimet marrin në shqyrtim nacionalizmin shqiptar, ndërsa mes risive përmendi marrëdhëniet e qeverisë së Vlorës me Perandorinë Osmane, procesi i deosmanizimit, Konferenca e Londrës, ka rikonceptim të kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, dhe zhveshje nga ideologjia për periudhën 1920-1924. Të rishikuara janë periudha e Zogut, si edhe të Luftës së Dytë Botërore, duke i parë në mënyrë kritike të gjitha palët.

Artikulli paraprakJanë pjesë e Shqipërisë, por “shëndetësinë falas” e marrin në Kosovë
Artikulli tjetërBasha me qytetarët: Ndëshkimi i korrupsionit në nivelet e larta, fillimi i ndryshimit të vërtetë për Shqipërinë