16.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Tetor, 2024

NAREA: Dalja nga Lista Gri e bën Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja në prona

Sektori i Pasurive të Paluajtshme, së bashku me sektorë të tjerë, të lidhur mes tyre ngushtësisht, janë thelbësorë në ekonominë e Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të jenë promotorë zhvillimi,” vlerëson NAREA. Investimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhanë kontributin kryesor në shifrën rekord të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 291 milionë eurove, në rritje me 52% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 21% të vlerës së përgjitshme të investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar. Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, veçanërisht në periudhën pas pandemisë, duke se është mbështetur në masë të konsiderueshme nga kërkesa që vjen prej investitorëve të jashtëm.

Investimet e huaja në prona janë tipike sidomos për zonat bregdetare, ku, megjithë rritjen e çmimeve, ato ngelen mjaft konkurruese krahasuar edhe me vendet e tjera të Rajonit, si Mali i Zi apo Kroacia. Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse investimi. Kjo e ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona jo për nevoja banimi apo shfrytëzimi familjar, por për qëllime investimi.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të vitit 2022 stoku i investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri arriti në 1.12 miliardë euro, në rritje me 44% krahasuar me një vit më parë. Në shtatë vitet e fundit, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme pothuajse është dhjetëfishuar.

Dalja nga Lista Gri e pastrimit të parave, sipas ekspertëve, mund të lehtësojë flukset hyrëse të pagesave drejt Shqipërisë dhe të ketë një efekt pozitiv edhe në tërheqjen e investimeve të huaja në prona. Shqipëria kishte hyrë në listën e vendeve në monitorim të shtuar (Lista Gri) për pastrimin e parave qysh në vitin 2020. Javën e kaluar Task Forca për Veprimin Financiar (FATF) zyrtarizoi vendimin për nxjerrjen e

Shqipërisë nga kjo listë pas tre vjetësh. Sipas qeverisë shqiptare, ky vendim erdhi si rezultat i progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, tha se ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit./Monitor

Artikulli paraprakIrena Beqiraj: Berisha nuk lejon krijimin e një alternative të re, duke e bërë çështjen e tij kauzë të PD-së!
Artikulli tjetërZyrtari i BE-së jep lajmin e mirë për qytetarët e Kosovës: Ja kur do të hiqen vizat