Një draft i Ministrisë së Financave për ndryshimin e ligjit të tatimit mbi të ardhurat që kufizon njohjen e interesave, si shpenzim i zbritshëm, deri në 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit dhe tatimeve, ka ngjallur reagimin e ashpër të bizneseve. Dhoma e Tregtisë Tiranë dhe Dhoma Amerikane kanë shprehur rezerva për këtë nismë të ministrisë, që sipas financave bëhet me qëllim të luftojë evazionin. “Financimi me borxhe shumë të larta i shoqërive, sidomos nga jashtë vendit apo nga kompani të lidhura, është shkak për një erozion të papranueshëm të bazës së të ardhurave të tyre, pasi interesi mbi borxhin, ndryshe nga dividendi, është i zbritshëm për qëllime tatimore. Në këtë mënyrë, shpesh shoqëritë kontribuojnë me borxh ndaj bijave përkundrejt rritjes së kapitalit”, thuhet në relacionin e financave. Më parë, interesat nuk njiheshin si shpenzime të zbritshme, nëse huaja dhe parapagimi tejkalonin mesatarisht katër herë shumën e kapitaleve të veta.
Por, bizneset janë të mendimit se ky ndryshim, jo vetëm që nuk do të luftojë evazionin, përkundrazi do ta rrisë atë, ndërsa rrezikon që të kufizojë kreditimin e bankave. Për më tepër, kjo ndodh tani kur sipërmarrjet janë në krizë likuiditeti, ndërsa ndryshimet janë të paqarta.
“Ky ndryshim, sipas mendimit tonë është i pakonsultuar, i paplotë dhe nuk e gjejmë të bazuar në eksperiencat më të mira europiane apo rekomandimet e OECD-së”, thuhet në përgjigjen që i është dërguar Ministrisë së Financave nga Dhoma e Tregtisë.
Sipas Dhomës, një masë e tillë do të sjellë uljen e kreditimit, rritje të barrës fiskale apo në të kundërt, tendencë për rritje të informalitetit. Shqipëria është një vend në zhvillim, ku baza e krijimit të kapitaleve është kreditimi dhe situata e vështirë me kreditë ku gjendet ekonomia, do ta bënte më të vështirë barrën e biznesit me një rëndim të tillë. Nga ana tjetër, edhe vendet e rajonit vazhdojnë të aplikojnë metodën ekzistuese që parashikon ligji ynë në kufijtë, borxh/kapitali nga 3:1 deri në 4:1 siç janë Maqedonia, Turqia, Serbia, Rumania, Hungaria, Sllovenia, etj.
Sipas burimeve nga dhoma, financat thjesht kanë përdorur një model shabllon, por që kryesisht përdoret për palët e lidhura dhe kreditimet që vijnë nga jashtë dhe vendet e mëdha që kanë kompani konglomerate me nëna e bija. Nëse zbatohet ky ndryshim në Shqipëri, atëherë ai do të kufizojë kreditimin, në kohën kur bizneset janë në krizë për likuiditet. Për shembull, nëse një kompani planifikon në planin e saj të biznesit që të dalë për 5 vjet me humbje, atëherë asaj nuk do t’i njihet asnjë shpenzim për interesa.
Edhe Dhoma Amerikane nuk është dakord me këtë ndryshim në ligjin për të ardhurat. “Qartazi, ky ndryshim do të rrisë pagesën e tatimit mbi fitimin në buxhet përderisa shoqëritë që do të rezultojnë me humbje, nuk do të kenë asnjë mundësi të njohin si shpenzim të zbritshëm interesin e paguar për borxhet e marra.
Rrjedhimisht, ndryshimi i propozuar përbën rritje të barrës fiskale, e cila është në kundërshtim me angazhimet e qeverisë për mosrritjen e mëtejshme të tatimeve dhe taksave”.
“Nga ana tjetër, ndryshimi i propozuar ka një ndikim të ndjeshëm në tatimpaguesit, të cilat kanë kryer investime të mëdha në projekte të konsiderueshme (si për shembull, projekte greenfield) duke i financuar këto investime me hua nga institucione financiare. Kjo për shkak se natyra e këtyre investimeve të lidhura me projekte të mëdha nuk lejon gjenerimin e menjëhershëm të të ardhurave, të cilat shfaqen mbas një kohe të konsiderueshme nga realizimi i investimit dhe gjatë kësaj kohe, kostot e financimit janë të mëdha si pasojë e borxhit të madh. Për këto arsye, ndryshimi i propozuar është penalizues për biznese të kësaj natyre.
Për më tepër, një ndryshim i tillë, nisur nga pasojat që pritet të gjenerojë, bie ndesh edhe me politikat e zhvillimit ekonomik. Në një kohë kur kërkohet kreditimi i shoqërive nga bankat tregtare, kjo mundësi limitohet ndjeshëm për shoqëritë, të cilat ndërkohë që kanë nevojë për kredi me qëllim financimin e aktivitetit ose investimeve për arsye të ndryshme, për shkak të natyrës së tyre dhe fazës në të cilën ndodhen, janë me fitime minimale ose dhe me humbje dhe nuk u mundësohet njohja e këtyre shpenzimeve si shpenzime të zbritshme”, arsyeton Dhoma Amerikane.
Të dyja dhomat kanë kërkuar që kjo dispozitë të mos miratohet.
“Në përfundim, do të sugjeronim mosndryshimin e dispozitës lidhur me zbritshmërinë e interesave të borxhit për efekte fiskale”.
Edhe sipas Dhomës së Tregtisë “kjo nuk është koha e duhur për një ndryshim ligjor me efekt hyrjen në fuqi në vitin 2018, pasi ai është pjesor, i paplotë në argumentim, i pakonsultuar mirë me grupet e interesit. Ai është i vështirë në administrim dhe ngarkesë për vetë Administratën Tatimore, si dhe që nuk argumenton efektet apo nuk është i bazuar në praktikat më të mira dhe rekomandimeve të OECD-së.
“Monitor”