Tirana po bëhet qytet i pajetueshëm

Nga Ola Xama

Nuk po tentoj fare të mat se sa minuta shi ra dhe me çfarë intensiteti. Tirana ka kohë që po kthehet në një qytet që pritet nga momenti në moment të kolapsojë.

Në një ditë të zakonshme të duhen minimalisht 3 orë të shkosh në punë dhe të kthehesh në shtëpi. Sheshe publike nuk ka. Shërbimet komunitare për fëmijët dhe të rriturit: kopshtet, shkollat, spitalet janë larg.

Transporti publik të shndërron në ‘sardele’ dhe as të kursen kohë. Parkimet publike janë me pikatore dhe ato pak vende ë i jepen bizneseve që paguajnë kontratë vjetore. A thua se shteti është biznes që mendon si të rritë fitimin dhe jo si rregullator që ka për detyrë të zgjidhë problemin!

Tirana nuk përmbytet se ka stuhi shiu, por sepse sheshet që më parë kishin kolektorë u prishën për të bërë pallate. Përmbytet se të njëjtat tubacione shkarkimi që më parë përdoreshin nga 700 mijë banorë, sot po përdoren nga 900 mijë dhe askush nuk ka vrarë mendjen të investojë.

Tirana përmbytet se nuk ka pemë, që përveç ajrit të pastër për banorët, kur ka shira, përthithin ujin nga nëntoka dhe ulin mundësinë e përmbytjeve.

Tirana po kolapson si qytet sepse e ka gllabëruar ndërtimi, ndërtimi i parave të pista që mbajnë 300 mijë apartamente bosh në të gjithë Shqipërinë.

Shumë dritëshkurtër të gjithë, mendojnë si të zgjidhin hallin që kanë sot për sot, disa të pastojnë paratë, disa të marrin ndonjë shtëpi e ca të tjerë të fitojnë te lejet. Po nesër ç’do të bëni me këto, ku do t’i shisni?

Po pse kështu zhvillohet qyteti, mblidhi 1 milion banorë dhe jepi më pak rrugë se kur ishin 500 mijë, jepi më pak shërbime, jepi më pak parqe, vidhi qindra orë? Kështu zgjerohet qyteti, futi të gjithë në një rreth dhe për vete jeto jashtë tij, e kur të bie rruga të shkosh në punë e çan trafikun me eskortë?

Tirana ka kolapsuar si qytet në funksionalitetin e tij. Është bërë praktikisht i pajetueshëm. Gjysma e ditës tonë konsumohet nga vonesat që na shkakton qyteti. Tani po presin që të kolapsojë dhe ekonomikisht që të binden.

Ju lutem, reflektoni!

Artikulli paraprakNdikim në ekonomi dhe jetën kulturore, shumica e britanikëve e shohin pozitivisht emigracionin
Artikulli tjetërTuneli i Oligarkëve në Palasë merr edhe 5 milion euro “bakshish”! Bravo znj. Balluku