Pazaret e kontratave koncesionare kalojnë në duart e OSHEE

Përmbyllet procesi i kalimit të kontratave koncesionare për blerjen e energjisë elektrike të prodhuesve privatë nga KESH tek OSHEE. Sipas burimeve nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, me firmosjen këtë javë të marrëveshjes së kalimit të detyrimit për blerjen e energjisë ndërmjet shoqërisë koncesionare Energji ASHTA dhe OSHEE, përfundon një fazë shumë e rëndësishme e reformës në sektorin e energjisë elektrike, ajo e ndarjes së funksioneve për secilin operator dhe krijimin e tregut të organizuar të energjisë elektrike.
Bazuar në ligjin e ri për Sektorin e Energjisë Elektrike në prill 2015 dhe në një sërë aktesh të tjera nënligjore të dala në zbatim të tij, KESH nuk do të ketë më detyrimin e caktuar arbitrarisht të blerjes së energjisë së prodhuar nga HEC-et e vogla, por tashmë do të ushtrojë vetëm funksionet e tij natyrale si prodhues energjie, duke bërë të mundur, në këtë mënyrë, një shfrytëzim më optimal të burimeve të tij gjeneruese.
Me ndryshimet e marrëveshjes tip të blerjes së energjisë, të miratuar nga ERE, të gjitha shoqëritë koncesionare kanë firmosur kontratat e reja me OSHEE, duke i dhënë fund konfliktit të nisur nga shoqata e HEC-eve, për pasiguritë e pretenduara prej tyre, me të cilat mund të përballeshin ata nga ky ndryshim i blerësit të energjisë.
Sipas Ministrisë së Energjisë, situata ka rezultuar krejt e kundërta, pasi qeveria shleu të gjitha detyrimet e prapambetura prej 9.1 miliardë lekësh që shteti u kishte këtyre koncesionarëve dhe tashmë ata po paguhen rregullisht për energjinë që prodhojnë duke ju rritur likuiditetin dhe duke lehtësuar përmbushjen e detyrimeve për shlyerjen e kredive ndaj bankave.

Artikulli paraprakRënie edhe në indeksin e sipërmarrjes
Artikulli tjetërPresidenti Obama nis në Greqi turin e fundit presidencial