I gjobitur 20 herë, kush është 21-vjeçari që shkaktoi aksidentin

Jorgaq Thengjilli, 21 vjeç është personi i cili rrezikoi ditën e sotme jetën e dy qytetarëve te Kryeministria.

Para disa ditësh, sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Euronews Albania, Sara Demushi, ai është gjobitur për shpejtësi me një gjobë 100 mijë lekë të vjetra.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm, pasi 21-vjeçari kishte marrë më herët plot 20 gjoba, të cilat duket se i ka paguar që të gjitha.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin J. Th., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ky shtetas, ditën e sotme, në rrugën “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, dyshohet për shkak të shpejtësisë mbi normat e lejuara, dhe ka aksidentuar shtetasit D. K., dhe K. D., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Drejtuesi i automjetit i është nënshtuar testit me “Drager” dhe “AquilaScan” dhe ka rezultuar që nuk kishte konsumuar pije alkoolike, apo lëndë narkotike.

Ky shtetas është ndëshkuar më përpara për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Artikulli paraprakAleksandër Vuçiç: Në Bruksel më kërkuan të njoh Pavarësinë e Kosovës
Artikulli tjetërVrasja e Franc Konomit: Ngjarja që zbardh rrjetën kriminale të bandave të Tiranës