Vaksina më e fundit ndaj COVID-it tashmë e disponueshme për amerikanët

Shumica e amerikanëve duhet të marrin vaksinën më të fundit ndaj COVID-it, njoftuan të martën zyrtarët e shëndetësisë.

Komisioni këshillimor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) miratoi vaksinat e reja për personat e moshës nga 6 muaj e lart, dhe ky sugjerim u mbështet menjëherë nga drejtorja e këtij institucioni.

Ashpërsia e pandemisë COVID-19 ka rënë, por ka ende mijëra raste shtrimesh në spitale dhe qindra vdekje çdo javë në Shtetet e Bashkuara. Shtrimet në spital janë shtuar që nga fundi i verës, megjithëse duket se shifrat kanë tendencën të bien, në veçanti në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.

Ekspertët megjithatë shqetësohen se imuniteti nga vaksinimet dhe infektimet e mëparshme mund të jetë duke u zbehur tek shumë persona, dhe mendojnë se një vaksinë e re do të shpëtonte shumë jetë.

Sipas një anketimi të cituar nga CDC-ja muajin e kaluar, rreth 42% të të pyeturve thanë se do ta bënin një vaksinë të re. Megjithatë, vetëm 20% e personave në moshë madhore morën një dozë të përditësuar të vaksinës, kur ajo u ofrua vitin e kaluar.

194420fe 7e9b 40b7 87b8 f13b51b0bcf4 w650 r1 s

Doktorët shpresojnë që të vaksinohen mjaftueshëm njerëz për të ndihmuar në shmangien e një epidemie të trefishtë, siç ndodhi vitin e kaluar, kur u mbingarkuan spitalet me një sezon të hershëm gripi, me një valë të sindromës të rrugëve të frymëmarrjes, dhe një tjetër valë dimërore të koronavirusit.

Vaksinat e miratuara janë të kompanive Pfizer dhe Moderna. Sipas Administratës për Barnat dhe Ushqimet (FDA) duke filluar nga mosha 5 vjeç, shumica e njerëzve mund të marrin një dozë të vetme edhe nëse nuk kanë bërë më parë vaksinën kundër COVID-19. Fëmijët më të vegjël mund të kenë nevojë për doza të mëtejshme, në varësi të historikut të tyre të vaksinimit dhe infektimeve.

 

Ashtu siç veprohet me vaksinat e gripit, të cilat përditësohen çdo vit, FDA-ja i dha një formulë të re firmave prodhuese të vaksinave ndaj COVID-19ës. Dozat më të fundit do të kenë në objektiv një nënvariant të omikronit, të emërtuar XBB.1.5. Ky është një ndryshim i madh nga viti i kaluar, kur vaksinat patën në objektiv një gamë të gjerë variantesh të koronavirusit dhe të një versioni më të hershëm të omikronit./ VOA

Artikulli paraprakPunime në Bypass-in e Vlorës, ARRSH njofton bllokimin e rrugës: Nga Kanina deri në Rradhimë, çfarë duhet të dini
Artikulli tjetër‘Butrinti’/ “Vendimmarrje e gabuar për çështje klientelizmi”, Auron Tare: E kemi çuar në Gjykatën Kushtetuese. Parku s’ka pse merret në menaxhim nga privati