Video/ Ambientalistët bllokojnë rrugën, 77-vjeçari del nga makina dhe qëllon me armë dy prej tyre

Një 77-vjeçar iu afrua një grupi ambientalistësh protestues që kishin bllokuar një rrugë dhe hapi zjarr duke vrarë dy persona. Ngjarja ndodhi në Panama, të mërkurën 8 nëntor. Prej disa javësh, shumë njerëz në vend protestojnë kundër vendimit të qeverisë për të mbajtur të hapur një nga minierat më të mëdha të bakrit në vend për 20 vjet të tjera, në një zonë të ndjeshme ndaj mjedisit.

Para fotografëve dhe ekipeve televizive, 77-vjeçari, i cili quhet Kenneth Darlington dhe është një ish- avokat në pension, thuhet se doli nga makina e tij dhe tha: “E gjithë kjo përfundon sot”. Duke tundur një armë, ai fillimisht hodhi në tokë një flamur të Panamasë që demonstruesit kishin vendosur aty pranë, të mbajtur nga dy ndarëse trafiku, më pas u kërkoi demonstruesve të flisnin me drejtuesit e protestës, të cilët megjithatë nuk ishin të pranishëm në vend.

Në imazhet e marra nga disa të pranishme dhe të shpërndara në internet, burri shihet duke u bërë gjithnjë e më agresiv, duke tërhequr zvarrë një gomë të përdorur nga ambientalistët për të mbyllur rrugën dhe duke bërtitur. Njëri prej tyre me sa duket tha: “Pse nuk qëlloni?” Në atë moment Darlington gjuajti dy të shtëna.

Personi i parë i goditur nga plumbat e 77-vjeçarit quhej Abdiel Díaz dhe u deklarua i vdekur në vendngjarje, ndërsa i dyti, Ivan Rodríguez, u dërgua me urgjencë në spital ku më pas vdiq. Pasi vrau dy burrat, Darlington u kthye në makinën e tij. Sipas raportimeve të mediave lokale, këtu shoqëruesja e burrit që e priste në bord e pyeti: “A e di se çfarë bëre?”, dhe ai u përgjigj: “Po, le të shkojmë”. Në atë moment ajo do ta kishte penguar atë të largohej dhe do të kishte thirrur policinë .

Darlington u arrestua më pas dhe u paraqit para një gjykatësi të mërkurën pasi u akuzua për vrasje dhe mbajtje pa leje të një arme. 77-vjeçari, i lindur në Panama, jetonte në lagjen e pasur Paitilla të qytetit të Panamasë. Kur u takua me protestuesit, thuhet se ai tha se “po kryente disa detyra”.

Presidenti i Panamasë, Laurentino Cortizo, në një postim në X, shkroi : “Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e dy qytetarëve që humbën jetën në një aksident që ndodhi të martën në një sektor të Panama Oeste”. “Ky është një krim që nuk ka vend në një shoqëri të thirrur për të qenë mbështetëse siç është e jona ,” shtoi ai./Liberale.al

Artikulli paraprakGjyqi ndaj Mediut për Gërdecin/ Flet financieri: Më kërkuan të vendos çmimet për demontimin, s’firmosa! Punonjësi: Çmontoja fishekët, ishte e rrezikshme
Artikulli tjetërAnalizë e REL/ Pushteti dhe opozita shqiptare me vlerësime të ndryshme për Raportin e Progresit