Akademiku Artan Fuga ka reaguar me kritika ndaj konferencës ndëruniversitare dhe ndërakademike për letërsitë kombëtare të organizuar nga Akademina e Shkencave.
Artan Fuga shprehet se po trajtohen si audiencë për të mbushur sallën dhe ka ardhur koha që t’i jepet fund një qëndrimi të tillë, të cilin e ka konsideruar si fyes.
“Ne si komision dhe seksion i albanologjisë po vazhdojmë të trajtohemi në këtë rast dhe në të tjera si audiencë për të mbushur sallën. Unë, duke njohur intelegjencën tuaj, ju bëj thirrje që si komision t’i japim fund një qëndrimi të tillë, i cili me thënë të drejtën është fyes në optikën time. Po ashtu, si seksion kemi vite pa u mbledhur për çështje substanciale, dhe në funksionet e veta. Në këtë mandat që drejtohet nga zoti G. Hoxha seksioni pothuajse ka terrur të gjitha funksionet që përcakton ligja dhe statuti i Akademisë së Shkencave”, shkruan akademiku Fuga.
Ai thekon se është e disata herë që ka kërkuar shqyrtimin e kësaj çështjeje në komision dhe në seksion, por kërkesat e tij kanë rënë në vesh të shurdhër.
“Kjo është një shkelje për të drejtat e një anëtari të asamblesë”, shprehet Fuga.
Reagimi i plotë:
Akademikët nuk mund të trajtohen si audienca për të mbushur sallën !
(Lidhur me konferencën ndëruniversitare dhe ndërakademike për letërsitë kombëtare në sistemin universitar)
Të nderuar kolegë të komisionit të shkenave ekonomike, juridike, sociale, dhe të seksionit të albanologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë!
Më lejoni të reagoj lidhur me këtë konferencë që Akademia e Shkencave organizon me bashkëpunime të tjera, lidhur me “letërsitë kombëtare në sistemin universitar” për të cilën njoftohemi!,
Në radhë të parë shpreh të gjithë respektin për autorët e kumtesave, të cilët janë të nderuar nga unë për punën që kanë pranuar të bëjnë dhe për të gjitha kontributet që sjellin.
Përtej kësaj, duke lënë mënjanë termin “sistem universitar” që është krejt pa kuptim shkencor, në respekt të objektit të marrë në shqyrtim, po parashtroj sa më poshtë.
Ne si komision dhe seksion i albanologjisë po vazhdojmë të trajtohemi në këtë rast dhe në të tjera si audiencë për të mbushur sallën. Unë, duke njohur intelegjencën tuaj, ju bëj thirrje që si komision t’i japim fund një qëndrimi të tillë, i cili me thënë të drejtën është fyes në optikën time. Po ashtu, si seksion kemi vite pa u mbledhur për çështje substanciale, dhe në funksionet e veta. Në këtë mandat që drejtohet nga zoti G. Hoxha seksioni pothuajse ka terrur të gjitha funksionet që përcakton ligja dhe statuti i Akademisë së Shkencave.
Është e disata herë që kërkoj shqyrtimin e kësaj çështjeje në komision dhe në seksion por kërkesat e mia bien në vesh të shurdhër; Ndërkohë kjo është një shkelje për të drejtat e një anëtari të asamblesë.
E kam fjalën : ku është një platformë për këtë konferencë, ku është dhe kush është komiteti shkencor i konferencës, ku janë abstraktet e kumtesave, kush i ka pranuar kumtesat, etj, etj. Në të gjitha këto kishte nevojë të ndihej dora e komisionit dhe seksionit të shkencave albanologjike, sepse përndryshe sikurse po shihet prej vitesh roli i asamblesë po vjen duke u tharë dhe po bëhet si një asamble dixhitale që funksionon për të regjistruar fakte dhe vendime të kryesisë me emailing, çka është e paligjshme!
E dyta, që ngre është, se programi me sa shoh është krejt deskriptiv dhe i patematizuar. Ne na duhet të ngremë qysh në tematikë një sërë problemesh që has letërsia shqiptare dhe letërsitë e kombeve të tjerë në universitetet shqiptare dhe jo të përsëritet pa fund herë “letërsia”, “letërsia”. E ritheksoj, nuk ndërtohet kështu objekti i kërkimit shkencor të një konference.
Mbaj parasysh një fakt që metodologjikisht nuk ka nevojë të jesh akademik për ta njohur. Letërsia sikurse humanitetet e tjera nuk janë një njësi monolite, e pafragmentizuar. Por, përkundrazi brenda saj, ka rryma, autorë, zhanre, është e përcaktuar në kohë dhe në hapësirë në mënyra të ndryshme, etj. Trajtimi i “letërsisë” si një e tërë, e paspecifikuar, e pa kontekstualizuar, etj.; është një dogmatizëm i tej vjetruar dhe një shkëputje nga objekti konkret real.
Le të mos harrojmë gjithashtu se tematika e konferencës është marrë sikur për trajtimin e letërsisë në universitete, i rëndësishëm është vetëm programi shkollor. Pa mohuar atë aspak, dihet se problemet janë përtej programeve. Letërsia në shkolla varet nga letërsia reale si proces krijues i epokës sonë, nga vendi i letërsisë, dhe i shkencave që e studiojnë në tërësinë e formimit kulturor të kombit, nga cilësia dhe tematika e përkthimeve, nga statusi social i poetit, romancierit, botuesit, etj. Letërsia nuk është një realitet abstrakt që shqyrtohet thjesht si ide që zbret nga qielli, por është një proces krijimi, botimi, shpërndarjeje, etj.
Aq më tepër që shoh se konfondohet objekti i marr në shqyrtim me shkencat që e studiojnë atë. Gjithçka është definuar nga pikëpamja e objektit dhe jo nga pikëpamja e shkencave dhe metodave moderne dhe postmoderne që e studjojnë letërsinë. Shoh një konfuzion total mes objektit dhe shkencave dhe metodave që i përqasen atij.
Ndërkaq ve në dukje se “letërsia” nuk mund të shkëputet nga politikat e librit, nga niveli i dijeve dhe njohurive nga shkollat e mesme, çka është e pafalshme që të injorohet.
Titulli i konferencës është për letërsitë kombëtare në universitete, por nuk shoh të trajtohen tematika të mësimit të letërsive të huaja të sotme në shkollat shqiptare. Unë marr kurajën t’ju them se letërsia e huaj aktuale është krejt e munguar, krejtësisht, në programet e shkollave të mesme çfarë i bën universitetet të pengohen në mënyrë absolute për ta trajtuar këtë aspekt në programin mësimor.
Studentët vijnë krejt të padijshëm në vitet e para edhe për letërsinë shqipe në Shqipëri, Kosovë, por edhe për letërsitë e huaja të sotme, duke notuar jo për faj të tyre në një izolim mendor dhe estetik total.
Procesi letrar është me shumë aspekte, mbi të gjitha është një proces social. Kështu ai nuk duhet trajtuar sikurse bëhet si një epifenomen i izoluar nga shoqëria. E them këtë sepse nuk është thjesht fjala për letërsinë në procesin universitar, por për vendin e letërsisë në shoqëri dhe te roli i universiteteve dhe i shkollës në këtë aspekt të kulturës krijuese.
Mos harrojmë gjithashtu se letërsia dhe gjuha shqipe kanë një pengesë serioze për përhapjen e tyre në shqiptarët, diasporë, grupe nacionale, emigracion, etj, në Ballkan dhe në botë. Kush e pengon përhapjen e tyre atje? Ky është një problem që lidhet me identitetin tonë kombëtar, me përpjekjet për ta ruajtur atë dhe nuk është një çështje thjesht kurrikulash. Kjo është një tematikë krejt e munguar në konferencën e parashikuar.
Mbi të gjitha është shkëputur trajtimi i mësimdhënies së letërsisë nga pedagogjia e saj si edhe nga statusi social dhe profesional i mësuesit të letërsisë.
Unë mendoj se në këtë konferencë veç kolegëve të nderuar, shumë të respektuar nga universiteti i Korçës, duhej bashkëpunuar qysh në organizim edhe me departamentin e letërsisë të Universitetit të Tiranës, njësisë më të madhe universitare, me potencialin më të madh kërkimor në mjedisin universitar në Shqipëri.
Duke ngritur këto probleme serioze, unë ripohoj se ka ardhur koha, ka kaluar tashmë prej vitesh, që seksioni dhe komisioni i shkencave albanologjike së pari të identifikohen në specifikat e tyre të veçanta, si edhe të mos trajtohen në këto konferenca si edhe në projekte të tjerë thjesht si audiencë.
Lutem për një qëndrim aktiv dhe konstruktiv nga ana juaj,
Miqësisht, dhe me dëshirën për ta kthyer akademinë e shkencave në rolin e saj të vërtetë,
Artan Fuga