Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, ka hedhur poshtë edhe një herë akuzat dhe shpifjet e Sali Berishës lidhur me lobimin rus të PD dhe rastit McGonigal.
Sipas zëdhënëses demokrate, edhe gazetari i BBC deklaroi se nuk ka gjetur asnjë lidhje të Lulzim Bashës me financimet ruse.
DEKLARATË E ZËDHËNËSES SË PARTISË DEMOKRATIKE, MIRELA KARABINA
Tymueset e Sali Berishës për t’ju fshehur hetimeve të SPAK, nuk habisin më askënd. Fushata e tij e mjerueshme tregon se ai për interesat e tij personale është gati të bëjë gjithçka, të gënjejë e mashtrojë duke përgënjeshtruar edhe vetvetven.
Edi Rama dhe Sali Berisha, ishin dhe janë bashkë në përpjekje për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të mos u përballur me drejtësinë.
MCgonigal ka pranuar para gjykatës të gjithë operacionin kriminal me qëllim përbaltjen e Lulzim Bashës dhe është dënuar.
Për fatin e keq të Sali Berishës, megjithë manipulimet prit e ngjit, ua faktoi dhe gazetari duke deklaruar se nuk kanë gjetur asnjë lidhje me financime ruse, e madje duke theksuar edhe faktin se hetimet u nisën nga McGonigal për shkak të bashkëpunimit të tij të ngushtë me zyrtarë të lartë shqiptarë.
Perpjekjet e mjerueshme për të ricikluar shpifjet e kundërshtarit politik, tregojnë hallin e madh të Sali Berishës. Ashtu si nuk e zgjidhi dot hallin me amerikanët dhe britanikët në 2 vjet mashtrime dhe sulme ndaj Lulzim Bashës, ashtu as nuk e fsheh as nuk e zgjidh dot me mashtrimet e dala boje as hallin që ka me SPAK.
Aleanca e kullave dhe non grata-ve nuk do ta dëmtojnë dot PD e as nuk do ta mbajë peng Shqipërinë me paratë e krimit dhe korrupsionit që po financon baltën mediatike dhe politike për ti ikur drejtësisë.