Qeveria rrit me 30% çmimin e gazit

Këshilltari Ekonomik në Ministrinë e Energjetikës ka dhënë një shpjegim që askush s’e ka kuptuar kur është pyetur në lidhje me rritjen e çmimit të gazit. Sipas Eduart Gjokutajt, rritja me 130 lekë për litër bëhet për sigurinë e konsumatorit. “Gazi që shitet për automjetet kuptohet që ka infrastrukturën e tij të shitjes. Kurse gazi për bombola është i ambalazhuar në bombolat e sigurisë. Kurse gazi për automjetet, duke qenë se deri sot është abuzuar, ku janë mbushur bombolat për konsumatorët, pra, për qytetarët, ka krijuar dhe një risk më shumë për jetën e tyre dhe sigurinë në konsum”. Nga ana tjetër, Gjokutaj nuk diti të jepte shpjegim se kush ndot më shumë, gazi apo nafta dhe nënproduktet e saj, por foli për vendosjen e masave të sigurisë në shpërndarje. “Unë nuk di të ketë ndonjë studim të mirëfilltë se kush ndot më shumë a më pak, po ta marrim të mirëqenë se gazi ndot më pak. Do të thosha që konsumi i gazit përmes vendosjes së masave të sigurisë dhe ndarjes së pikave të tregtimit i jep një tjetër hapje tregut. Për arsye që dihet se tregu formal është ai që do të prevalojë mbi tregun formal”, thotë Gjokutaj. Paketa e re fiskale e qeverisë parashikon, duke filluar nga viti tjetër vendosjen e një akcize për gazin e lëngshëm për automjetet në vlerën 13 lekë për litër. Deri më tani, gazi përjashtohej nga akciza dhe përdorej nga qytetarët si një alternativë ndaj çmimeve të larta të naftës apo benzinës. Në të gjithë vendin mendohet, që makinat që përdorin gaz, të mos zenë më shumë se 3 për qind të qarkullimit, por mesa duket, kjo s’i ka shpëtuar nga vëmendja qeverisë, e cila në tre vjet ka treguar se, politika e rritjes së taksave vend e pa vend është ajo që di të bëjë më mirë. Sot çmimi i gazit varion nga 45 deri në 55 lekë për litër, dhe qeveria e rrit automatikisht në 60 dhe 70 për litër. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh luhatjet e bursës, por edhe rritjen pa kontroll që i bëjnë kompanitë lëndës djegëse, pritet që deri në janar të arrijë në rreth 100 lekë për litër, po të kemi parasysh vitin e kaluar, ku megjithëse jashtë akcizës çmimi i gazit arriti deri në 80 lekë për litër.

Artikulli paraprakRama ul fondet për Presidencën
Artikulli tjetërTaksë 5 euro për të hyrë në vendet e BE