Këtë të hënë, 13 nëntor, GJKKO do të bëjë një tjetër tentativë për të njoftuar ish-kryeministrin Sali Berisha për masat në ngarkim të tij.
Oficerët e GJKKO do tentojnë të njoftojnë Berishën pas disa refuzimeve nga ana e tij. Kjo pasi Sali Berisha duhet të paraqitet para oficeres së SPAK në datën 20 nëntor.
Në rast se do të refuzojë edhe në këtë datë atëherë SPAK i lind e drejta për t’ju drejtuar Kuvendit për autorizim për rëndim të pozitës së tij duke kërkuar një masë më të rëndë siç mund të jetë ajo e arrestit në shtëpi.
Krahas dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që përfitoi mijëra m2 tokë të ish-kompleksit Partizani ku ndërtoi 19 kulla shumëkatëshe me firmën e vjehrrit të tij kryeministër, pozita ligjore është e rënduar edhe për Sali Berishën nën hetim për korrupsion pasiv për këtë aferë.
Berisha refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës që i ka caktuar masën detyrim paraqitje dhe duke u fshehur pas imunitetit parlamentar pretendon se po shkelet Kushtetuta.
Në 26 tetor GJKKO pranoi kërkesat e dy prokurorëve të SPAK-ut Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dhe vlerësoi të ligjshme masën ndaj Sali Berishës, në mungesë, pasi u përfaqësua nga një avokat kryesisht pasi avokatët e tij me prokurë të posaçme braktisën seancën.
Sipas masës së caktuar nga GJKKO, Berisha duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore në SPAK, Adelajda Metaj të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Të hënën e parë të muajit, 6 nëntor, ish-kryeministri nuk u paraqit.
GJKKO ka refuzuar ndërkohë të gjitha kërkesat e avokatëve të Berishës për shuarje mase në datën 8 nëntor si dhe për përjashtimin e Irena Gjokës, kërkesë kjo e bërë dhe më herët. Hapi i radhës i mbrojtësve të tij është ankimimi në Apelin e Posaçëm duke argumentuar se është shkelur Kushtetuta seancë e cila ende nuk është caktuar.
Mirëpo, GJKKO në vendimin e zbardhur, ka specifikuar se ish-kryeministri ka dijeni për masën e caktuar ndaj tij dhe e ka pranuar verbalisht në konferencë për shtyp si dhe ka sqaruar përse nuk është marrë autorizimi nga Kuvendi.