Të rinjtë e Forumit Rinor të PD kanë protestuar kundër qeverisë në Shkodër. Kryetari i këtij forumi, Belind Këlliçi ka qenë në krye të protestës duke kërkuar punësim për të rinjtë. Protesta është zhvilluar në rrugët kryesore të qytetit për papunësinë, për mungesën e shanseve, tarifat e rritura të edukimit, për krimin që po sundon vendin, për kanabizimin e Shqipërisë.
Qindra të rinj dënuan penalizimin që Edi Rama po i bën Shkodrës me mosdhënie fondesh, vetëm për shkak se qytetarët atje nuk e votuan në zgjedhjet lokale.
Gjithashtu, të rinjtë protestuan për faktin se në kushtet e varfërisë ekstreme, të përmbytjes e pasojave të saj, Edi Rama bën turistin në Amerikë. Të rinjtë e Shkodrës gjithashtu denoncuan megallomaninë e Edi Ramës, i cili ndërhyri në fushatën e zgjedhjeve në Amerikë duke lëshuar fyerje për Presidentin Trump, çka rrezikon të dëmtojë interesat e vendit, duke dëmtuar raportet me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë.
Të rinjtë protestues, njëzëri thanë se distancohen nga këto qëndrime të Edi Ramës.
“Është një protestë për të shprehur qartazi revoltën dhe distancimin e plotë të të rinjve shkodranë nga deklaratat dhe qëndrimet e papërgjegjshme të Kryeministrit shqiptar gjatë dhe pas fushatës elektorale në USA, ndaj atij që sot është zgjedhur President i popullit të madh amerikan, Donald Trump, miqve tonë më të mirë, aleatëve tanë strategjikë, shembullit të demokracisë dhe lirisë botërore. Deklaratat dhe qëndrimet e papërgjegjshme të Kryeministrit tonë të marrë me qira, i konsiderojmë si një dëm të jashtëzakonshëm që i është bërë Shqipërisë, shqiptarëve kudo janë dhe çështjes kombëtare në përgjithësi. Prandaj jemi këtu për të shprehur qartë që rinia shkodrane dhe ajo shqiptare nuk do të pranojë kurrë deklarata dhe qëndrime ofenduese, denigruese ndaj përfaqësuesve të popullit amerikan miqve tanë të mëdhenj historikë”, thanë të rinjtë në deklaratat e tyre.