Ventura: Spanja? Mendojmë për Shqipërinë

I kënaqur pas barazimit me Gjermaninë, trajneri i Italisë Giampiero Ventura. Të kaltërit treguan personalitet përballë kampionëve të botës, edhe pse “panzerat” nuk hodhën në fushë formacionin më të mirë. Megjithatë italianët treguan që janë aty dhe tashmë përqendrohen te kundërshtarët e Grupit G kualifikues të Botërorit 2018. I pyetur në mikrofonët e RAI Sport rreth rivalëve të Spanjës për vendin e parë, Ventura preferoi të qëndrojë me këmbë në tokë, duke i marrë ndeshjet me radhë. Dueli i parë për 2017-ën është ai përballë Shqipërisë së Gianni De Biasit.
Giampiero Ventura: “Ndeshja me Spanjën është ende larg. Më e rëndësishme është përballja e radhës ndaj Shqipërisë. Jam i kënaqur me këtë pjesë të parë të aventurës në stolin e Italisë, nga e cila do të evitoja vetëm ato 15 minuta të ndeshjes me Maqedoninë. Pjesa e parë e sfidës me Spanjën na mësoi shumë, ndërsa përballjet e tjera edhe pse në pamje dukeshin normale, në të vërtetë nuk ishin të tilla”.
Italia dhe Shqipëria do të luajnë më 24 mars. Pas 4 ndeshjeve të para në Grupin G kualifikues të Botërorit, të kaltërit ndajnë kreun me Spanjën, në kuotën e 10 pikëve, ndërsa pas humbjes në shtëpi me Izrealin, kuqezinjtë rrëshkitën në vendin e katërt me 6 pikë të grumbulluara.

Artikulli paraprakFRPD protesta kundër qeverisë në Shkodër, pankarta me Trump
Artikulli tjetërMungon vetëm një Jaltë e re