Shkarkohet Suella Braverman nga posti i Sekretares së Brendshme, komentet kundër protestës pro Gazës “i kushtuan” karrierën

Suella Braverman është shkarkuar nga posti i Sekretares së Brendshme. Ky vendim vjen pas komenteve të saj mbi protestat pro Palestinës, të cilat u zhvilluan të shtunën në Londër. Shkarkimi i Braverman u firmos nga kryeministri Rishi Sunak.

Burime nga Partia Konservatore për “The Guardian”, thonë se Rishi Sunak po kryen një riorganizim të kabinetit pasi ai “forcon ekipin e tij në qeveri për të dhënë vendime afatgjata për një të ardhme më të ndritshme”, raporton PA Media.

Theksojmë se shkarkimi i Sekretares së Brendshme vjen pas një fundjave ku ajo u akuzua se u dha guxim aktivistëve të ekstremit të djathtë që kryen dhunë në rrugët e Londrës, ndërsa atje po zhvillohej një protestë e madhe pro popullit të Palestinës.

Mediat britanike shkruajnë se Sunak i tha Suella Braverman se donte që ajo të largohej nga qeveria, ndërkohë që nuk iu ofrua një post tjetër.

Ajo i përshkroi edhe një herë protestuesit pro-palestinezë si “marshues të urrejtjes” dhe shtoi:

“Unë nuk besoj se këto marshime janë thjesht një thirrje për ndihmë për Gazën. “Ato janë një pohim i përparësisë nga grupe të caktuara – veçanërisht islamikët – të llojit që jemi mësuar të shohim më shumë në Irlandën e Veriut.

Kujtojmë se me të marrë postin e rëndësishëm, Braverman “u shpalli luftë” emigrantëve që shkonin me gomone në Britaninë e Madhe. Gjithashtu ajo i cilësoi emigrantët shqiptarë si “kriminelë dhe pushtues”, deklaratë kjo e cila shkaktoi reagime të shumta. Asokohe kryeministri Edi Rama tha se “pret ndjesë nga qeveria britanike për komentet mbi shqiptarët.”

Artikulli paraprakTRASHËGIMIA KULTURORE NË RREZIK, TAULANDA JUPI: MINISTRIA E KULTURËS I DHA SHKELMIN E FUNDIT URËS SË ZOGUT
Artikulli tjetërSHKRESA/ Prokuroria i kthen përgjigje KQZ: Kryetari i Bashkisë së Kuçovës rezulton i dënuar në Greqi