I Ngarkuari me Punë i SHBA-së në Tiranë, David Wisner, Atasheu i Mbrojtjes Eric Cote dhe familjet e tyre vizituan qytetin e Korçës.
Gjatë vizitës, Wisner pati kënaqësinë të takohej me një mësuese ndihmëse të gjuhës angleze të mbështetur nga ambasada, që jep mësim për banorët e qytetit.
Ai takoi gjithashtu disa pronarë biznesesh në Pazarin e Korçës, të cilët kanë përfituar nga mbështetja e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
“Ndikimi pozitiv i punës jofitimprurëse të AADF-së në komunitetin dhe ekonominë vendase ishte i jashtëzakonshëm”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.
Gjatë vizitës së tij në Korçë, Wisner vizitoi shkollën e parë shqipe, “Mësonjëtoren” dhe mori pjesë në një ceremoni të veçantë përkujtimore të armëpushimit gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ai gjithashtu vizitoi Voskopojën dhe kishën e Shën Nikollës, të cilat Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar të restaurohen si projektin e parë të Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri në 2001.