Me një kopertinë që shfaq një fije shkrepëse që digjet, fije shkrepëse që ka në krye një kokë njeriu, simbolikisht- shqiptarët që humbën jetën 8 dekada më parë- një studim i pasur me dokumente dëshmon etapat dhe ngjarjet më të rënda të Luftës Civile në vendin tonë, rolin e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Shefqet Peçit, etj.
Historiani Uran Butka ka sjellë botimin “Lufta civile në Shqipëri në vitet 1943-1945”. Në një intervistë për “News 24” ai ndalet te të dhënat që dalin nga dokumentet e marra në arkivat shqiptare e të huaja, të cilat fajësojnë Partinë Komuniste për nisjen e luftës civile dhe vëllavrasjen në mes të luftës së madhe. Butka hedh poshtë numrin e dëshmorëve dhe thotë se rreth 1000 shqiptarë u vranë në luftën civile.
“Sa për numrin e dëshmorëve: nuk janë 28 mijë dëshmorë. Dua të them që Teodor Kareco, një funksionar i Partië Komuniste ka bërë një studim tani në demokraci dhe ka thënë që numri i partizanëve të vrarë nga gjermanët, është 1514 veta. Të vrarë midis forcave në luftën civile, janë 1067”. I pyetur nëse këto shifra janë shumë të vogla, Butka tha se “a mos na duhen shumë? Kjo shifër është e përafërt me shifrën e dëshmorëve sipas atyre listave të dëshmorëve të atdheut. Gënjeshtra (me 28 mijë dëshmorë) nuk mund të vazhdojë për tërë kohën dhe ti shqetësojë edhe brezat që vijnë”.
Në një vend ku nderohen edhe Mehmet Shehu edhe Mithat Frashëri, Uran Butka thotë se “vazhdon filozofia e komunistëve, përpjekja e tyre e dihet që edhe sot janë këto reminishenca, e një luftë e brendshme që e lodh shqiptarin dhe e sakrifikon Shqipërinë e cila duhet patjetër të shkojë me dinjitet në Bashkimin Europian”.
Duke folur për luftën civile, ai tregon se lufta civile nisi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes ku ishte rënë dakord për bashkim kundër pushtuesit dhe nxitja erdhi nga jugosllavët.
“lufta civile është luftë e brendshme mes forcave politike e ushtarake të vendit. Një luftë për pushtet dhe për komunizëm. Një luftë e nisur nga Partia Komuniste dhe Enver Hoxha, nxitur nga jugosllavët e rusët që donin të tërhiqnin Kosovën e Shqipërinë pas qerres së tyre në perandorinë sovjetike. Për ta plotësuar konceptin, veç luftës mes forcave ushtarake e politike ishte edhe pjesëmarrja e popullsisë. Lufta civile filloi menjëherë pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes me urdhrat e Enver Hoxhës për të mësyrë forcat nacionaliste që ishin Balli Kombëtar, Legaliteti, krerët e veriut e luftëtarët e pavarur, ata që ishin rivalë në marrjen e pushtetit sipas PK-së”, tha Butka.
Ai bën dallimin mes luftës antifashiste të popullit shqiptar, që do të thotë luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve, dhe luftës nacionalçlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste. “Lufta nacionalçlirimtare që drejtohej nga Partia Komuniste e Hoxha ishte pjesëz e luftës antifashiste siç ishte pjesë edhe lufta e Ballit Kombëtar, Legalitetit, etj. Historiografia e mëparshme dhe politika e mëparshme, që kanë reminishenca edhe sot, e quajnë vetëm lufta nacionalçlirimtare. Pra e monopolizojnë luftën, duke mohuar luftën e faktorëve të tjerë.
Kjo është një strategji për të justifikuar edhe marrjen e pushtetit”, tha Butka.
Pjesë e batalioneve partizane që luftuan kundër shqiptarëve nacionaliste, ishin edhe italianët e mbetur në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë, thotë Butka.
I pyetur se sa lufta civile bën pis luftën e partizanëve për çlirim, Butka vëren se “duke bërë dallimin më lart, nuk mund të mohohet lufta e partizanëve kundër pushtuesit, por pas vitit 1943 pas mbledhjes së Labinotit, partizanët u induktua ideja: luftë kundër tradhtarëve, gjermanëve e kolaboracionistëve (siç i quanin komunistët të tjerët). Partizanët e thjeshtë që nuk e dinin të vërtetën luftuan dhe një pjesë e mirë tyre dhanë jetën. Këta janë dëshmorë që dhanë jetën në luftën me të huajt dhe në luftën civile. Kam respekt të veçantë se edhe familja ime, duke nisur nga gjyshi im Sali Butka dhe Safeti kanë qenë në luftë kundër pushtuesve, siç çmoj edhe luftën e ballistëve e legalistëve që kanë dhënë jetën por duhet bërë dallimi mes luftës antifashiste dhe asaj civile. Sepse u la mënjanë lufta kundër pushtuesve dhe dominoi lufta kundër shqiptarëve. Degjeneroi lufta në një luftë civile”, thotë Butka.
Studiuesi i njohur njeh edhe gabimet e Legalitetit e Ballit, krerët e veriut që i lanë terren komunistëve- disa prej tyre e refuzuan luftën civile duke mos dashur të vrasin shqiptarë, çka ju hapi udhë komunistëve. Ka dokumente të britanikëve që sjell Butka në libër ku ata kërcënojnë Enver Hoxhën se do të ndalojnë furnizimin me armë e ndihma nëse ai i përdor në luftë civile kundër forcave të tjera. Në anën tjetër, ai kërkon të bëhet dallimi mes kolaboracionistëve dhe atyre që luftuan kundër pushtuesve, një “ngatërresë” e qëllimshme për të justifikuar marrjen e pushtetin. Butka distancohet nga ajo që bënë kolaboracionistët pavarësisht arsyeve që patën, por në anën tjetër sjell një dokument nga arkivat britanike mbi bashkëpunimin e Enver Hoxhës me Nazistët dhe qeverisjen e Beratit në bashkëpunim duke sjellë shembuj kolaboracionizmi nga ana e komunistëve.
Ai ndalet edhe të disa prej masakrave të kryera gjatë luftës civile nga jugu në Veri, sidomos në Malësi të Madhe e Dukat, vrasja e një fshati të tërë në Pogradec dhe më në detaje te masakra e Lushnjes ku pati 80 të vrarë edhe në bazë fetare me urdhër të Mehmet Shehut.