Suella Braverman ish-sekretare e Brendshme e Shtetit, pas shkarkimit nga detyra, përmes një letre të gjatë ka akuzuar kryeministrin britanik Rishi Sunak se ai është një dështak dhe se ka tradhëtuar marrëveshjen për ndalimin e varkave të emigrantëve të paligjshëm.
“Ju keni dështuar në mënyrë të qartë dhe të përsëritur në përmbushjen e secilës prej këtyre politikave kryesore. Ose stili juaj i veçantë i qeverisjes do të thotë se nuk jeni në gjendje ta bëni këtë.
Ose, siç duhet të përfundoj me siguri tani, ju kurrë nuk keni pasur ndonjë qëllim të mbani premtimet tuaja.
Refuzimi juaj i kësaj rruge nuk ishte thjesht një tradhti e marrëveshjes sonë, por një tradhti e premtimit tuaj ndaj kombit se do të bënit “çfarëdo që të duhej” për të ndalur varkat”, ka shkruar Braverman.
Braverman, një nga figurat kryesore të partisë konservatore, i kërkoi kryeministrit Sunak të “ndryshojë kursin urgjentisht”, duke thënë se ai i ka udhëhequr konservatorët drejt humbjes në zgjedhje dhe se rivendosja e tij në krye të partisë është një dështim.
Mediat e huaja kanë publikuar letrën e plotë të Braverman. Ish-zyrtarja ka qenë një nga zërat kritik edhe për emigrantët shqiptarë, deklaratat e së cilës shkaktuan jo pak mëri tek komuniteti shqiptar në Britani. Ajo u largua nga detyra me urdhër të Rishi Sunak këtë të hënë.