Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë sa i përket normës së popullatës me arsim të lartë. Mesatarisht në vendin tonë rreth 20% e popullsisë mbi 25 vjeç kanë arritur të sigurojnë një diplomë të arsimit të lartë, ndërkohë që pjesa tjetër; 80% janë më arsim elementar ose të mesëm.
Nëse i referohemi shifrave për vendin tonë shohim se 21% e femrave mbi 25 vjeç janë me arsim të lartë përkundrejt meshkujve me një normë prej 18.3%. Sipas INSTAT, përqindja e femrave me arsim të lartë në vitin 2022 ka qenë më e madhe se ajo e meshkujve. Janë 37.1% të femrave në BE të cilat kanë arsim të lartë sipas shifrave për vitin e kaluar të publikuar nga Eurostat, pra rreth 15.7 pikë përqindje më shumë se në Shqipëri. Irlanda, Suedia dhe Lituania janë tre vendet me normën më të lartë të femrave me diplomë në Europë. Përkatësisht normat për këto tre vende janë 57.2%. 56.3% dhe 54.1%.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria renditet e treta nga fundi sa i përket meshkujve të cilët zotërojnë një diplomë të arsimit të lartë. Me një normë në 18.3% Shqipëria ka lënë pas rajone të Rumanisë dhe disa rajone rurale të Italisë me 17.8% dhe 17.1% të meshkujve mbi 25 vjeç me arsim të lartë. Udhëheqin renditjen me përqindjen më të madhe Luksemburgu dhe Irlanda me 51% dhe 49.6%.
Sakaq, sipas shifrave të ‘Institutit të Statistikave’ 41.9% e meshkujve në vendin tonë kanë arsim fillor, ndërsa 39.9% kanë arsim të mesëm. Sa i përket femrave, janë 51.4% me arsim fillor dhe 27.3% me arsim të mesëm. Mesatarisht në Shqipëri rreth 20% e popullsisë mbi 25 vjeç kanë arsim të lartë, ndërkohë që 80% janë më arsim fillor ose të mesëm.
Eurostat në publikimin më të fundit, nuk ka publikuar të dhëna për rajonin tonë. Për Shqipërinë situata mund të jetë përkeqësuar për arsyen se shifrat zyrtare tregojnë se në vitin akademik 2023-2024 u regjistruan në auditore 500 studentë më pak, rënie që ka vijuar sistematikisht gjatë viteve të fundit për shkak të emigracionit dhe rënies së lindshmërisë. Ndërkohë BE ka si objektiv që numri i të diplomuarve të shkojë në 45 për qind, ndërsa Shqipëria si aspirante për në BE në vend që të hartojë politika e të ndërtojë strategji që i afrohen standarteve europiane, duket se bën të kundërtën.
Numri i të diplomuarve, mesatarja e BE-së
Në vitin 2022, më shumë se dy të pestat (42.0%) e popullsisë së BE-së të moshës 25-34 vjeç kishin një diplomë të arsimit të lartë (një pjesë brenda kësaj grupmoshe mund të jenë ende duke studiuar).
Nga 240 rajone, për të cilat Eurostat ka të dhëna të disponueshme (nuk ka siguruar të dhëna për Mayotte në Francë ose Åland në Finlandë), kishte 72 rajone (ekuivalente me 30% të të gjitha rajoneve të BE-së) ku kjo përqindje kishte arritur ose tejkaluar objektivin e politikës së BE-së, për këtë zonë: 45.0%. Rajonet që kanë arritur tashmë këtë objektiv janë të hijezuara në jeshile-blu në hartë.
Rajonet më të arsimuara dhe më pak të arsimuarit në BE
Në krye të listës ishte rajoni i kryeqytetit të Lituanisë me 73.6%, i ndjekur nga 11 rajonet e tjera ku të paktën 60.0% e të rinjve kishin një diplomë të arsimit të lartë. Të tjerat përfshinin rajonet e kryeqytetit të Francës, Irlandës, Holandës, Polonisë, Hungarisë, Suedisë, Luksemburgut dhe Danimarkës. Shumë prej këtyre rajoneve tërheqin njerëz me kualifikim të lartë, ndoshta për shkak të mundësive të ndryshme arsimore, punësimi dhe sociale ose të stilit të jetesës që ato ofrojnë.
Përqindje relativisht të larta të arritjeve të arsimit të lartë u regjistruan gjithashtu në dy rajone të specializuara në aktivitetet kërkimore dhe inovative dhe/ose në prodhimtarinë e teknologjisë së lartë: Utrecht në Holandë dhe País Vasco në Spanjën veriore; Irlanda Veriore dhe Perëndimore ishte i vetmi rajon tjetër në BE që regjistroi një përqindje mbi 60.0%.
Në anën tjetër, kishte 17 rajone të BE-së, ku më pak se një e katërta e të gjithë njerëzve të moshës 25-34 vjeç kishin një diplomë të arsimit të lartë, në vitin 2022: 7 nga 8 rajonet në Rumani (përjashtim bën rajoni i kryeqytetit të Bucureşti-Ilfov), 3 rajone në Hungari, 2 rajone në Bullgari, një rajon i vetëm në Çeki, 3 rajone në jug të Italisë dhe rajoni i Guyanes (Francë). Disa nga këto rajone u karakterizuan si rajone rurale/të izoluara me një nivel të ulët të mundësive të punësimit për individë me aftësi të larta..
Nivelet më të ulëta rajonale të arritjeve të arsimit të lartë u regjistruan në rajonet rumune të Sud-Muntenia (16.0%) dhe Sud-Est (17.0%), rajoni çek i Severozápad (18.0 %) dhe rajoni hungarez i Észak-Magyarország (18.2 %).
/Përgatiti: a.m/ Liberale.al/