Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga deputetja Flutura Açka dhe Preç Zogaj, zhvilluan një vizitë në Panairin e Librit.
Ndërsa është ndalur në një e nga stendat e librit, Basha vlerësoi interesin që po shfaqin të rinjtë për librin, ndërsa ka theksuar se në programin e PD, do i kushtohet vëmendje e veçantë letërsisë, artit dhe kulturës.
“Më bëhet zemra mal kur shikoj lexues të rinj e të reja. Për këtë dua t’i shpreh një falënderim në veçanti prindërve dhe arsimtarëve, të cilët përmes pranisë së nxënësve në panairin e librit, po bëjnë një investim shumë të rëndësishëm për gdhendjen dhe sofistikimin e shijes së lexuesve shqiptarë”,-tha Basha.
Basha e ka konsideruar shumë të rëndësishëm investimin për letërsinë, kulturën dhe artin, ndërsa është shprehur se sipas tij, mbështetja për librin në Shqipëri nuk është as gjysma e mbështetjes që jep Kosova.
“E rëndësishme është vëmendja ndaj autorëve shqiptarë, sepse nëse ka një tipar dallues që po bashkon shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të veriut, në Malin e Zi, në Greqi e diasporë, është gjuha shqipe, ruajtja dhe promovimi i së cilës është një nga misionet më të shenjta. Në programin e PD, që po përgatitet në bashkëpunim me ekspert kombëtarë dhe ndërkombëtarë, një vëmendje e veçantë i kushtohet letërsisë, artit dhe kulturës”, – theksoj Basha duke sjelle në vëmendje, që mbështetja për librin në Shqipëri nuk është as gjysma e mbështetjes që jep Kosova.